Shkëndija e Haraçinës vazhdon serinë e rezultateve pozitive dhe me golin e Dashmir Elezit, e mposhti Skopjen me 1-0, në ndeshjen e fundit të xhiros së 7-të.
Rastin e parë në ndeshje e pati Shkëndija e Haraçinës, kur Mile Todorov gjuajti nga afërsia (nga 4 metra), por në portën e Skopjes u dallua Naumovski me një pritje të shkëlqyer.

Mysafirët u përgjigjën për herë të parë në minutën e 21-të, kur Poposki hyri në zonë dhe e gjeti Angellovin, por gjuajtjen e tij në vetë vijën e portës e ndali mbrojtësi Esin Hakaj. Në minutën e 39-të, Amir Nuhija humbi mundësinë më të mirë, pasi me kokë nga 4-5 metra gjuajti mbi traversë.
Në minutën pasuese, Mile Todorov arriti ta tundte rrjetën nga një kënd i vështirë, por pas reagimit të sistemit VAR, goli u anulua për shkak të pozitës jashtë loje.

Në minutën e 42-të, mysafirët kërcënuan edhe nga goditja e lirë, por në lartësinë e detyrës ishte portieri vendas, Antonio Stolevski.
Pjesa e dytë solli një lojë shumë më të mirë nga Shkëndija e Haraçinës, ndërsa gjuajtjen e parë e realizoi Memedi nga 17 metra, megjithatë portieri Naumovski ishte i sigurt në vijën e portës dhe e shpëtoi Shkupin. Në minutën e 60-të, Remzifaik Selmani pati një mundësi kolosale për ta zhbllokuar rezultatin, por Naumovski, me një reagim të shkëlqyer (me këmbë), e priti gjuajtjen e tij dhe e dërgoi topin në këndore. Një minutë më vonë, një kombinim perfekt i vendasve: Todorov e gjeti Selmanin në zonë, por portieri i Shkupit doli sërish fitues nga ky duel.

Skopje u kërcënua përmes Cvetkovskit, i cili lëshoi një volej të fuqishëm nga 17 metra, por topi shkoi lart mbi traversë. Në minutën e 83-të, Skopje mund të kalonte në epërsi pas gabimit të madh të Liçinës, por goditja me kokë e Beroviqit përfundoi pranë portës së Antonio Stoleskit. Vetëm 2 minuta më vonë, Beroviqi kërcënoi sërish me goditje me kokë nga 5 metra, por portieri i Shkëndijës nuk lejoi befasi.

Dhe ndëshkimi erdhi në anën tjetër: Dashmir Elezi u gjend më së miri pas asistimit të Todorovit dhe në fund e mposhti Naumovskin e shkëlqyer.





