Kampioni i Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë, Shkëndija, e fillon mbrojtjen e tituilit me ndeshjen në shtëpi kundër FC Shkupit. Të premten në orën 17:00, skuadra "kuqezi" e Tetovës e hap sezonin 2025/26 me një duel kundër ekipit nga Çairi.
Trajneri i ekipit kampion, Jeton Beqiri, thotë se pavarësisht se kush është kundërshtar, vlerëson çdo ekip në Ligën e Parë dhe se uron një hapje të suksesshme të sezonit të ri, pas paraqitjeve të suksesshme në skenën ndërkombëtare, ku Shkendija është në raundin e tretë kualifikues dhe pret ndeshjen e kthimit kundër Karabakut në Baku.
"Sigurisht, qëllimi ynë në sezonin e ri është mbrojtja e titullit. Besoj se kemi potencialin dhe kemi stafin e lojës për t'iu përgjigjur sfidave si në kampionat ashtu edhe në Evropë. Nesër pres një lojë të mirë dhe një fillim fitues të sezonit të ri. Ne respektojmë dhe vlerësojmë çdo kundërshtar, nuk ka nënvlerësim për askënd, ne do të luajmë lojën tonë dhe shpresoj se do ta arrijmë qëllimin", tha Beqiri.

Kur u pyet se si pret që skuadra të përgjigjet, duke pasur parasysh se kishte pesë ndeshje evropiane, Beqiri tha:
"Nuk jemi aq të freskët sa kundërshtari ynë, sepse kemi luajtur pesë ndeshje në Evropë, të vështira, rraskapitëse. Ajo ishte e fundit me Karabakun në shtëpi. Nga tani e tutje, fokusi ynë është tërësisht te kampionati, sepse përmes kampionatit arritëm këtu ku arritëm në Evropë. Besoj se Shkëndija ka rreth njëzet lojtarë cilësorë, tre portierë të mirë, një listë të gjerë që mund t'u përgjigjet me sukses të gjitha sfidave", shtoi trajneri i Shkëndijës.
Beqiri nuk deshi të veçonte ndonjë konkurrent specifik për titullin në sezonin e ri, duke njoftuar se skuadra e tij do të hyjë në secilin prej tyre me motivim maksimal.
"Nuk do të doja të veçoja askënd në veçanti. Do të shohim si do të shkojë kampionati. Gjithmonë ka surpriza. Çdo ekip ka cilësinë e vet, objektivat dhe matematikën e vet. Është e rëndësishme që të hyjmë në çdo ndeshje të motivuar maksimalisht. Të gjejmë dëshirë dhe motivim për çdo ndeshje. Shkojmë hap pas hapi. Nuk do të nënvlerësojmë askënd, pavarësisht se kush është kundërshtari ynë. Fillimet janë gjithmonë të vështira, kështu që çdo nënvlerësim mund të jetë i kushtueshëm. Kjo është arsyeja pse do të kërkoj qasje maksimale nga lojtarët në çdo ndeshje. Duam të fitojmë sa më shumë pikë të jetë e mundur në kampionat, por edhe në Evropë, në fazën e grupeve, pavarësisht se në cilën garë jemi. Në çdo ndeshje duhet të gjejmë një mënyrë për të qenë maksimalisht të motivuar", përfundoi lideri i "kuqezinjve" të Tetovës.






