Bashkimi dhe Struga Trim Lum do të përballen në Kumanovë, në një ndeshje ku të dyja ekipet hyjnë pa presion psikologjik. Duke qenë se të dyja ekipet janë në "zonën e tyre të rehatisë", ato janë të gatshme të japin maksimumin për një spektakël të vërtetë futbolli.
Mbrojtësi i ekipit të Kumanovës, Hasan Sumer, beson se Bashkimi është gati të shënojë fitoren e parë kundër Strugës TL këtë sezon.
"Bashkimi dhe Struga TL janë ekipe që luajnë pa presion, sepse i përmbushën objektivat e tyre në kohë. Ndeshja luhet të dielën, kur presim një stadium të mbushur plot dhe një festë futbolli. Mendoj se ka ardhur koha për fitoren e parë kundër ekipit mysafir, dhe nuk ka mënyrë më të mirë që kjo të ndodhë se sa në Kumanovë, para tifozëve tanë", tha ndër të tjera Sumer.
Edhe pse optimizmi në Kumanovë është i lartë, statistikat janë në favor të mzsafirëve. Ndeshjet e mëparshme kokë më kokë këtë sezon përfunduan me fitore për ekipin nga Struga, ndërsa Bashkimi nuk arriti të shënojë asnjë gol në dy ndeshjet e deritanishme.
Ndeshja Bashkimi – Struga Trim Lum do të luhet të dielën, në orën 15:00, në stadiumin e qytetit në Kumanovë.





