Një fitore shumë domethënëse për përfaqësuesen "A" të Maqedonisë kundër Izraelit në fushën e "nxehtë" në Haifa. Maqedonia dominoi takimin, krijuan më shumë raste dhe në fund, me golin e Goran Pandevin, shënuan fitore me 1:0. Me tre pikët e arkëtuara, Maqedonia e pret me më shumë optimizëm duelin me Shqipërinë, të martën në Strumicë.
Pjesë e parë e shkëlqyer pavarësisht se nuk pati gola në Haifa. Maqedonia doli të ishte një kundërshtare shumë më e mirë se vendi pritës, Izraeli.Emocionet e para në minutën e 21-të kur Alioski krosoi nga një goditje dënimi nga e djathta, dhe Ristevski shënoi në shikim të parë një gol të rregullt, por gjyqtari Eskov, pas pak hezitimi, tregoi pozicion jashtë loje, për shkak të pozicionit të gabuar të Nestorovskit. Ekipi vendas u kërcënua në minutën e 27-të kur Ben Haim shfrytëzoi një gabim të mbrojtësve të Maqedonisë, por gjuajtja e tij u prit nga Dimitrievski. Në minutën e 33-të, ekipi vendas pothuajse shënoi një autogol. Një tjetër goditje dënimi nga Alioski, këtë herë nga e majta, një krosim i bukur, dhe Tsedek e dërgoi me kokë përtej portierit të tij Glazer, dhe topi përfundoi në shtyllë dhe u kthye në zonë. Pesë minuta më vonë, Bardhi dhe Alioski kombinuan shkëlqyeshëm në të majtë, dhe topi i krosuar në një pozicion ideal , nuk u shfrytëzua nga Vellkovski.

Pjesa e dytë filloi me një tjetër shans të shkëlqyer nga pushimi. Bardhi krosoi në mënyrë perfekte nga një goditje këndi, por Pandev nuk ishte në pozicionin më të mirë për të marrë topin siç duhet dhe arriti vetëm të gjuante jashtë portës.
Në minutën e 60-të, skuadra vendase pati rastin e saj më të mirë, kur Hemed gjuajti ashpër dhe Dimitrievski bëri një pritje të mrekullueshme. Zahavi vrapoi drejt topit të rikuperuar, por Ristovski e nxori topin jashtë për një goditje nga këndi në momentin e fundit. Në minutën e 66-të, Zahavi pati një tjetër rast kur gjuajti nga e djathta, dhe Dimitrievski ishte pak i pasigurt, por prapë e nxori topin jashtë për një goditje nga këndi.
Në minutën e 74-të, 1:0 për Maqedoninë. Lojtari i sapoardhur në lojë, Elif Elmas mori një top rreth tridhjetë metra larg portës dhe në mënyrë ideale gjeti Pandevin. Ky i fundit tejkaloi në mënyrë rutinore portierin vendas për gëzimin e madh të lojtarëve të Maqedonisë.
Një fitore shumë e rëndësishme për Maqedoninë në kualifikueset për Kupën e Botës 2018 në Rusi.
Stadiumi: "Sami Ofer" në Haifa. Shikues: 11,000 Gjyqtar kryesor: Alexey Eskov nga Rusia. Golashënues: Pandev (M) 74 m.
Karton i verdhë: Bardhi, Elmas (M)
Izraeli: Glaser, Beaton (Keltins 71), Ben Haim, Mellickson, Zahavi, Cohen, Ben Haim II (Aibinder 54), Ohana (Hemed 45), Tzedek, Dawizada, Kaba.
Maqedonia: Dimitrievski, Ristevski, Musliu, Alioski, Pandev, Bardhi (Zajkov 89), Ristovski, Velkovski, Nikolov (Elmas 63), Spirovski, Nestorovski (Radeski 86).






