Dueli mes rivalëve të qytetit, Vardarit dhe Skopjes, u takoi futbollisteve mysafire, ndërsa ndeshja u vendos në minutën e 88-të, kur Besarta Fida arriti ta mposhtë portieren kundërshtare.
Me këto tri pikë, Skopje ruajti hapin me liderin, ekipin e Lubotenit, i cili pas pesë xhirove të zhvilluara ka 13 pikë, ndërsa kampionet në fuqi deri më tani kanë grumbulluar 12.

Në anën tjetër, Vardari i përforcuar ende do të presë për pikët e para në sezonin e ri dhe sot e regjistroi humbjen e pestë në po aq paraqitje në kampionatin e tutbollit në konkurrencën e vajzave.
Lideri aktual, Luboteni, triumfoi 8:2 në transfertën ndaj Reçicës, ndërsa ylli i parë i ndeshjes ishte reprezentuesja e Maqedonisë, Yllza Maksuti, e cila shënoi pesë gola. Nga një gol shënuan Hava Mustafa, Kalina Popeski dhe Mihaela Dodevska. Angjela Petkovska dhe Leona Spasovska shënuan nga penalltia për ekipin e Reçicës.

Në këtë xhiro të pestë, fitoren më bindëse e regjistroi Tiverija Brera, e cila e mposhti Koçanin me 8:1.
Nga dy gola shënuan Teona Galabovska, Pavlinka Nikolovska dhe Biljana Paneska, ndërsa nga një herë në listën e golashënueseve u regjistruan Kristabel Oduro dhe Ivana Ilieva. Në anën tjetër, golin e vetëm për Koçanin e shënoi Lina Micovska.

Fitore në transfertë regjistroi edhe Kamenica Sasa, e cila në Shkup festoi ndaj KFV Istatov me rezultat 3:1.
Të katër golat u shënuan në pjesën e dytë. Jovana Petrushova i dha epërsinë ekipit mysafir në minutën e 55-të. Tri minuta më vonë, Ana Dimitrovska e rriti epërsinë në 2:0, ndërsa në minutën e 63-të Petrushova shënoi sërish për epërsinë 3:0.
Në momentet e fundit të ndeshjes, Mihaela Ivanovska shënoi golin e vetëm për ekipin e Istatov.

Ndeshja e fundit e xhiros së pestë do të zhvillohet më 17 shtator, ndërsa do të përballen AS Junajted dhe Pelister Pro.





