Përfaqësuesen e re të Maqedonisë deri në 21 vjeç e pret një seri prej tre ndeshjesh brenda vetëm tetë ditësh. Të përzgjedhurit e selektorit të ri Aleksandar Tanevskit fillimisht do të zhvillojnë një ndeshje kontrolluese kundër përfaqësueses së Rusisë deri në 20 vjeç, ndërsa më pas pasojnë dy përballje kualifikuese nga cikli aktual për Kampionatin Evropian.
Ndeshja kundër Rusisë është caktuar për 28 shtator në qendrën stërvitore „Petar Miloshevski“, ndërsa në kuadër të ciklit kualifikues, Maqedonia më 1 tetor në Manastir do të përballet me Malin e Zi. Katër ditë më vonë, më 5 tetor, pason udhëtimi te Suedia në Falkenberg.
Para sfidave të ardhshme, reprezentuesi Nikola Manojlov thotë se atmosfera në ekip është e shkëlqyer dhe se të gjithë janë maksimalisht të motivuar për të dhënë më të mirën për fanellën e kombëtares.
„Atmosfera në përfaqësuese është e shkëlqyer dhe të gjithë jemi maksimalisht të motivuar dhe të fokusuar në sfidat që na presin. Kemi komunikim të shkëlqyer mes vete, punojmë mirë në stërvitje dhe ekziston dëshira për rezultate pozitive. Stafi ynë teknik i ka analizuar në detaje kundërshtarët që na presin, Rusinë, Malin e Zi dhe Suedinë. E dimë se çdo përfaqësuese ka cilësitë dhe specifikat e veta, prandaj përgatitemi seriozisht për çdo ndeshje veçmas. Gjëja më e rëndësishme është të qëndrojmë së bashku, të jemi të disiplinuar dhe t’i përmbushim detyrat që do të na jepen. Besojmë në cilësitë tona dhe me angazhim maksimal duam të tregojmë se kemi një përfaqësuese cilësore që mund të rivalizojë me ekipe të forta“, thotë Manojlov.
Para dy ndeshjeve të fundit kualifikuese për EURO 2027, Maqedonia ndodhet në vendin e 5-të në Grupin E. Pas tetë ndeshjeve të zhvilluara, Maqedonia ka 6 pikë. Në krye është Polonia me 24 pikë, para Italisë me 21, ndërsa Mali i Zi dhe Suedia kanë nga 10 pikë. Në vendin e fundit është Armenia pa asnjë pikë të fituar.





