Tanevski me tri teste brenda 8 ditëve, fillimisht Rusia, pastaj Mali i Zi e Suedia

Përfaqësuesja e Maqedonisë U21 hyn në një periudhë intensive me ndeshje. Brenda vetëm tetë ditësh, të përzgjedhurit e selektorit të ri Aleksandar Tanevski do të luajnë tri ndeshje, një miqësore dhe dy në kuadër të ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian.

Seria fillon më 28 shtator me ndeshjen miqësore kundër përfaqësueses së Rusisë U-20, e cila do të zhvillohet në qendrën stërvitore „Petar Miloshevski“. Më pas vjen dueli kualifikues me Malin e Zi, më 1 tetor në Manastir, ndërsa katër ditë më vonë Maqedonia do të jetë mysafire e Suedisë në Falkenberg.

„Na presin tri ndeshje dhe secila prej tyre do të jetë e rëndësishme në mënyrën e vet. Fillimisht është ndeshja me Rusinë, ku do t’u japim më shumë hapësirë futbollistëve më të rinj. Për ta, kjo është një mundësi e shkëlqyer për t’u treguar dhe për të dëshmuar veten si kandidatë potencialë për ciklin e ardhshëm.

Më pas vjen Mali i Zi në Manastir, ku duam që me lojë të mirë të arrijmë një rezultat pozitiv. Në fund është Suedia, një kundërshtar serioz dhe një mundësi për të parë se si do të reagojmë në një nivel më të lartë.”.

“"Pres që pas këtij takimi të kem një pamje më të qartë të lojtarëve dhe se kujt mund t'i besojmë në periudhën e ardhshme", tha trajneri i Maqedonisë U-21, Aleksandar Tanevski.

Për stafin e ri të trajnerëve, kjo do të jetë mundësia e parë në një seri ndeshjesh për të testuar potencialin e gjeneratës, por edhe për të marrë përgjigje shtesë para vazhdimit të kualifikueseve.