Shkupi vazhdon luftën për fitoren e parë të sezonit, por edhe për pikët e para në pjesën pranverore të kampionatit. Deri më tani, skuadra nga Çairi ka fituar vetëm një pikë, pikërisht në duelin vjeshtor kundër Rabotniçkit, i cili përfundoi me rezultatin 1-1. Këto dy skuadra luajtën edhe një ndeshje miqësore në fazën përgatitore, në të cilën "romantikët" fituan bindshëm 5-2. Megjithatë, pavarësisht vështirësive me të cilat po përballen këtë sezon, lojtarët e Shkupit premtojnë maksimumin në fushë.
„"Si në çdo ndeshje, do të luftojmë deri në atomin e fundit kundër Rabotniçkit. Ne si lojtarë do të japim më të mirën tonë, pavarësisht rrethanave dhe situatës së palakmueshme në të cilën ndodhet klubi ynë. Detyra jonë është të mbetemi profesionistë në fushë dhe të bëjmë punën tonë sa më mirë që të jetë e mundur", tha kapiteni i Shkupit, Amar Meliqi.
Ndeshja midis Rabotniçkit dhe Shkupit do të luhet në stadiumin „Todor Proeski“, me fillim në orën 12:00.





