Skuadra e Shkupit ende nuk ka pikë pas shtatë javëve në futbollin elitar të Maqedonisë. Sot skuadra nga kryeqyteti do të luaj ndeshjen përball Arsimit, cili i ka të humbur tri ndeshjet e fundit në shtëpi.
Shkupi beson se tani është koha për të fituar pikët e para të sezonit. Mesfushori Adonis Milaj kërkon angazhim maksimal nga shokët e ekipit, ndërsa në të njëjtën kohë paralajmëron të mos nënvlerësohet skuadra nga Cegrane.
“Edhe pse është një ekip që sivjet është ngjitur në Ligën e Parë, bazuar në rezultatet dhe analizat tona, Arsimi nuk është një kundërshtar i lehtë. Presim një ndeshje të vështirë, por do të japim maksimumin për të fituar tri pikët”, tha Milaj.
Sipas Adonis Milajt, tani është koha që Shkupi të fitojë pikët e para këtë sezon.
"Edhe pse po vijmë nga një moment shumë i keq, e kaluara është pas nesh. Tani jemi plotësisht të përqendruar në sfidën që na pret. Shpresojmë vërtet që me një lojë të mirë dhe kompakte, do të shpërblehemi me rezultatin që synojmë", përfundoi Milaj.
Ndeshja midis Arsimit dhe Shkupit do të luhet të sot (27 shtator) në stadiumin e Gostivarit, duke filluar nga ora 15:00.





