Pas gati tre javësh pushim për shkak të ndeshjeve të komb[tareve të futbollit, skuadra e Arsimit sot rikthehet në terrenin vendas, ku do të presë ekipin e Sileksit.
Në prag të kësaj ndeshjeje, futbollisti i Arsimit, Subi Mustafa, shprehu optimizëm dhe theksoi punën që skuadra ka bërë gjatë pushimit.
„Gjatë tri javëve të fundit kemi punuar intensivisht dhe e kemi shfrytëzuar maksimalisht pushimin për t’u përgatitur sa më mirë për vazhdimin e kampionatit. Jemi të vetëdijshëm se na pret një ndeshje e vështirë kundër Sileksit, por skuadra është e motivuar dhe e gatshme për këtë sfidë. Do ta japim maksimumin në fushë, me përkushtim dhe angazhim të madh, sepse qëllimi ynë është të arrijmë një rezultat pozitiv. Shpresoj se, me mbështetjen e tifozëve tanë, do të arrijmë ta realizojmë atë që dëshirojmë“, deklaroi Mustafa.
Arsimi synon ta shfrytëzojë avantazhin e terrenit vendas dhe të rikthehet te rezultatet pozitive pas pushimit, në një ndeshje që pritet të sjellë shumë emocione dhe pasiguri. Ndeshja ndërmjet Arsimit dhe Sileksit do të zhvillohet sot në stadiumin në Gostivar, me fillim në orën 13:00.





