Shkëndija nga Haraçina e kërkon fitoren e parë në elitën e futbollit të Maqedonisë kundër Shkëndijës nga Tetova, pasi deri tani i ka humbur të tri përballjet mes tyre në Kupën e Maqedonisë.
Amir Nuhija e respekton ekipin nga Tetova, por thekson se synimi kryesor i Shkëndijës së Haraçinës është të marrë një rezultat pozitiv.
„Na pret një ndeshje shumë e rëndësishme kundër Shkëndijës nga Tetova. E dimë cilësinë e kundërshtarit dhe e respektojmë, por kemi besim të madh te ekipi ynë. Gjatë gjithë javës kemi punuar maksimalisht dhe jemi të përgatitur për këtë duel. Luajmë në Çair, para tifozëve tanë, dhe synimi ynë është të arrijmë një rezultat pozitiv. Presim një atmosferë elektrizuese dhe mbështetje të madhe nga tifozët tanë. Do të japim gjithçka nga vetja në fushë për t’i gëzuar ata. Besojmë te ekipi ynë dhe presim që të dielën të dalim me kokën lart“, deklaroi ndër të tjera Nuhija.
Ndeshja mes Shkëndijës së Haraçinës dhe Shkëndijës nga Tetova do të zhvillohet në stadiumin në Çair, të dielën, në orën 13:00.





