Pas një pauze trejavore për paraqitjet e kombëtares, kampionati i futbollit vendor rikthehet fuqishëm në skenë! Në kuadër të javës së 9-të të Ligës së Parë të Futbollit, lideri i tabelës, Shkëndija e Tetovës, do të jetë mysafir i Shkëndijës së Haraçinës në stadiumin në Çair.
Para këtij dueli, kapiteni i tetovarëve, Arbin Zejnullai, theksoi se pauza ua kishte mbushur bateritë dhe kishte ardhur në momentin e duhur për ekipin.
„Kjo pauzë erdhi në momentin ideal për ne. Jo vetëm që u dha mundësi lojtarëve të dëmtuar të rikuperohen plotësisht, por na lejoi edhe t’i analizojmë me imtësi të gjitha mangësitë. Kohën e shfrytëzuam për t’i korrigjuar gabimet dhe për të hyrë edhe më të fortë në betejat e ardhshme“, deklaroi Zejnullai.

„Kuqezinjtë“ nga Tetova nuk kanë ndërmend të ndalen këtu. Me pozitën e liderit, presioni është i madh, por edhe motivimi është në nivelin më të lartë.
„Reputacioni dhe ambiciet e Shkëndijës ju detyrojnë që në çdo ndeshje të luftoni vetëm për triumf. Për ne, vetëm tri pikët sjellin kënaqësi. E kemi skautuar në detaje kundërshtarin, ndërsa detyra jonë e vetme është t’i zbatojmë pa të meta të gjitha idetë e stafit teknik. Nëse japim maksimumin, besoj se triumfi nuk do të mungojë“, shtoi Zejnullai.
Në kampin e Shkëndijës, mbrojtësi i majtë Bojan Dimoski po stërvitet me intensitet të plotë dhe është plotësisht në dispozicion të stafit teknik. Nga ana tjetër, Mevlan Murati ende po rikuperohet nga lëndimi fizik dhe nuk do të jetë në dispozicion për këtë ndeshje.
Ndeshja mes Shkëndijës së Haraçinës dhe Shkëndijës së Tetovës do të zhvillohet të dielën (11.10) në stadiumin në Çair, në orën 13:00, ndërsa gjyqtar kryesor i këtij dueli do të jetë Jovan Kaçevski.





