Ndeshja e fundit e javës së 9-të të Ligës së Parë, solli futboll tërheqës, por rrjetat në stadiumin "Petar Miloševski" mbetën të pa prekura gjatë gjithë 90 minutave.
Pas matjes së forcave në fillim të takimit, Shkëndija ushtroi presion mbi nikoqirët në mesin e pjesës së parë, por Jovçevski ndaloi përpjekjet e Ramadanit në minutën e 24-të dhe të Zejnulait në minutën e 27-të. Mundësia më e mirë që ekipi tetovar të kalojë në epërsi ishte në minutën e 28-të, kur portieri i Pelisterit ishte tashmë jashtë portës, por Zdravkoviç parandaloi një gol të sigurt me një ndërhyrje të shkëlqyer në mbrojtje.
Në anën e kundërt, skuadra vendase e pati shumë më të vështirë të krijonte rastet e saj, kështu që në pjesën e parë, e vetmja gjë që u vu re ishte goditja e dënimit e Spirovskit që përfundoi mbi portë, ndërsa pjesa tjetër e aksioneve nuk ishte e rrezikshme dhe kryesisht përfundoi me pasime të këqia. Megjithatë, skuadra e Manastirit luftoi për zotërimin e topit, duke kërkuar raste nga ndërprerjet dhe kundërsulmet, por pa një përfundim të mirëfilltë.
Loja dinamike solli disa goditje nga këndi, por Pelisteri filloi të kërcënonte më seriozisht vetëm në fillim të pjesës së dytë, kur në tre raste organizoi aksione me shanse premtuese për realizim. Belić ishte i pari që u vendos në pozicion gjuajtjeje në minutën e 54-të, dhe gjashtë minuta më vonë Spirovski e aktivizoi Ristiçin, i cili goditi topin dobët, duke përfunduar tentimi direkt në duart e Amzait. Rasti më serioz për ekipin vendas erdhi pas një kundërsulmi, kur Mrmaçovski e priti topin në mënyrë perfekte dhe shkoi i vetëm drejt portës, por Amzai arriti ta bllokonte atë me këmbë.
Në fund të takimit, Shkendija krijoi përsëri disa raste premtuese, fillimisht me anë të Tambës dhe Latifit, dhe më pas me anë të Ademit, i cili gjuajti mbi portë. Edhe pse të dyja palët kanë për çfarë të ankohen, duket se barazimi ishte pasqyrimi më real i asaj që u tregua. Shkëndija sigurisht që nuk mund të jetë e kënaqur me rezultatin, por Pelisteri do ta mbetet e kënaqur për këtë pikë, pas pesë humbjeve radhazi. Lojtarët e rinj të ekipit nga Manastiri po përparojnë dukshëm nën drejtim të Ivanovskit dhe Spirovskit, të cilët janë më me përvojë, ndërsa Shkëndija i ruajti "xhokerët" për në fund të takimit, por nuk arriti t'i realizonte rastet.
Edhe pse kampionati vazhdon pas dy javësh, Pelisteri do të luajë një ndeshje të re pas dy ditësh, si mysafir i Shkëndijës së Araçinës në kaudër të Kupës së Maqedonisë. Futboll do të luhet edhe në Manastir, me rastin e jubileve, 80 vjetorit të ekzistencës së klubit dhe 40 vjetorit të grupit të tifozëve "Çkembari". Më 12 tetor do të luhet një ndeshje miqësore me Dinamon e Bukureshtit.





