Shkëndija do të jetë mysafire në Manastirit të hënën, kundër Pelisterit, në javën e 9-të. "Kuqezinjtë" e Tetovës hyjnë në këtë ndeshje pas një vizite të vështirë në Madrid, kundër Rajo Vallekanos në javën e parë të Ligës së Konferencës, ku humbën 2-0.
Ekipi nga Tetova thotë se po i lë pas gjithë këto, është mbledhur ajo përvojë e vlefshme, dhe tani fokusi është vetëm se si të fitojnë tri pikë nga ndeshja në transfertë kundër Pelisterit.
"Po hyjmë në këtë ndeshje me Pelisterin pas një ndeshjeje shumë të vështirë kundër Rajo Vallekanos, por për ne ishte një përvojë e vlefshme dhe e bukur. Një ndeshje kundër një skuadre të fortë të La Ligas. Por i harrojmë të gjitha këto dhe shkojmë në Manastir për tri pikë kundër Pelisterit. Shkëndija synon tri pikët në çdo ndeshje. Nuk do të jetë një sfidë e lehtë, por ne gjithmonë shkojmë për fitore për të arritur qëllimin e caktuar - mbrojtjen e titullit", tha Kamer Qaka, lojtari i Shkëndijës.
Ai shton se Shkëndija dëshiron të shkojë në pushim e qetë, me tri pikë të fituara dhe një vend më të lartë në rënditjen tabelare.
"Nëse fitojmë tri pikë, do të jetë shumë mirë për ne. Do të ngjitemi më lart në tabelë dhe kjo do t'i bëjë gjërat më të lehta për ne, sepse atëherë do të ketë një pushim, i cili do të jetë i mirëpritur pas shumë udhëtimeve dhe ndeshjeve. Në të ardhmen, besoj se gjërat do të shkojnë më mirë në Evropë në favorin tonë", përfundoi Qaka.





