Ekipi i Rabotniçkit me meritë fitoi tre pikët në ndeshjen jashtë fushe kundër Bashkimit në Kumanovë, duke vazhduar luftën për mbijetesë në elitën e futbollit vendas. Që në minutën e 11-të, pas një kundërsulmi të shpejtë për mysafirët, Suhel Muharemi arriti të mposhtë portierin vendas Jashari për epërsi 1-0.
Katër minuta më vonë, Bashkimi u kundërpërgjigj me anë të Ribeiros, i cili, pas një asisti nga Memeti, gjuajti jashtë shtyllës. Aleksovski nga skuadra vendase pati një shans të artë për të barazuar në minutën e 41-të, por portieri mysafir ishte në lartësinë e detyrës. Para fundit të pjesës së parë, Aleksovski depërtoi përsëri në anën e djathtë dhe krosoi në zonën e penalltisë, por Ribeiro nuk ishte i saktë në gjuajtjen e tij.

Në pjesën e dytë, vendasit kërcënuan fillimisht me anë të Or, gjuajtja prej 16 metrash e të cilit përfundoi në duart e portierit të Rabotniçkit. Në minutën e 62-të, Boshnakov provoi një gjuajtje prej 18 metrash, por topi shkoi jashtë portës së Jasharit. Në anën tjetër, Memeti provoi nga distanca, por gjuajtja e tij përfundoi në duart e Ondoas. Në minutën e 67-të, Pejović gjuajti nga distanca që përfundoi mbi portë.
Momenti kyç ndodhi në minutën e 72-të që solli një "dush të ftohtë" për ekipin vendas: Merxhani dërgoi një krosim në zonën e penalltisë, dhe Tallakov shfrytëzoi me mjeshtëri një gabim të mbrojtjes së Bashkimit, për të shënuar golin e dytë për Rabotniçkin.
Vendasit arritën të riktheheshin në lojë në minutën e 79-të me anë të Aleksovskit, i cili shënoi pas një asisti nga Limani. Në minutën dramatike të 90-të, Pejović gati sa nuk shënoi një autogol, por Ondoa ishte në vendin e duhur dhe në vazhdim të të njëjtit aksion, Ondoa ndaloi përpjekjen e fundit të Ribeiros, duke konfirmuar triumfin e ekipit të tij.





