Triumfi kundër Vardarit dhe afrimi me vetëm një pikë te lideri është një motiv shtesë për kampionin aktual, Shkëndijën, që të vazhdojë me serinë e fitoreve, dhe të përpiqet të marrë pozicionin kryesues në tabelën e LPFM. Prandaj, skuadra e Tetovës nuk duhet të bëjë një "gabim" sepse në këtë fazë të kampionatit, çdo dështim mund të kushtojë shumë.
Kundërshtari për kampionin aktual sot është ekipi i AP Brera. Nga kampi i Shkëndijës theksojnë se nuk kanë ndërmend që të nënvlerësojnë asnjë kundërshtarë. Pritjet janë që seria e suksesshme pranverore e fitoreve të vazhdojë pas kësaj ndeshjeje, dhe me të do të vazhdojë edhe gara për mbrojtjen e titullit.
"Atmosfera në ekip është në një nivel të lartë. Nëse luan vazhdimisht mirë dhe fiton, kjo do të rrisë edhe më shumë vetëbesimin tënd. Ndeshja kundër Vardarit ishte e vështirë, por ne hymë në të me qëllimin për të fituar dhe e fituam. Tani për ne, çdo ndeshje e radhës është më e rëndësishmja dhe duam të vazhdojmë të fitojmë. Nuk kemi të drejtë të bëjmë gabime. Duhet të përqendrohemi në ndeshjen me AP Brera, të japim gjithçka dhe të marrim pikët. Në futboll, pavarësisht se kundër kujt luan, duhet të jesh i qetë, i përqendruar në maksimum dhe të mos nënvlerësosh asnjë kundërshtar. Do të luajmë lojën tonë, në fushë do të japim maksimumin, do të luftojmë për çdo top. Vetëm në këtë mënyrë mund ta arrijmë qëllimin tonë. Patëm disa probleme në të kaluarën kur na u desh të ktheheshim nga një disavantazh në disa ndeshje, sepse nuk ishim të kujdesshëm dhe bëmë gabime në fillim të ndeshjeve. Tani do të duhet të jemi të përqendruar që nga minuta e parë, të jemi dominues dhe ta fitojmë këtë ndeshje në tokën tonë, dhe kështu të vazhdojmë garën për titullin e kampionatit", tha Babukar Gaye, portieri i Shkëndijës.





