Struga Trim Lum ka pasur efektin maksimal në katër ndeshjet e deritanishme në Ligën e Parë te futbollit vendas. Mesfushori Besmir Bojku shpreson që seria pozitive të vazhdojë edhe pas pushimit të ndeshjeve të përfaqesueses.
Struganët e mirëpresin Tikveshin dhe e respektojnë në maksimum.
"Atmosfera në ekip është e shkëlqyer, veçanërisht pas fillimit pozitiv të sezonit. Në këtë periudhë të kaluar, kemi pasur më shumë kohë për të pushuar, por edhe për t'u përgatitur sa më shumë që të jetë e mundur për ndeshjet e ardhshme. Rivali ynë i parë është Tikveshi, një kundërshtar shumë i vështirë, i cili ishte shumë aktiv në tregun e transferimeve këtë verë. Prandaj, duhet t'i qasemi me kujdes dhe me besim", thotë Besmir Bojku.
Ai shton se Struga Trim Lum do të japë maksimumin në ndeshjen e javës së pestë.
"Si në çdo ndeshje, do të përpiqemi të luajmë më të mirën tonë dhe të fitojmë. Nëse ndjekim udhëzimet e trajnerit, besoj se do ta arrijmë qëllimin tonë", shtoi mesfushori.
Ndeshja midis Struga Trim Lum dhe Tikveshit do të luhet në orën 15:30 në stadiumin e qytetit të Strugës.





