Përfaqësuesja e Maqedonisë e hap ciklin në Ligën B me ndeshjen kundër Zvicrës më 26 shtator në Shkup. Pas premierës në shtëpi, të përzgjedhurit e Goce Sedlloskit i presin edhe tri ndeshje të tjera në një periudhë të shkurtër: udhëtimi te Sllovenia më 29 shtator, ndeshja në shtëpi kundër Skocisë më 3 tetor dhe përballja e dytë me Zvicrën, më 6 tetor në Lucernë.
Pikërisht kalendari i ngjeshur do të jetë një nga sfidat më të mëdha për futbollistët maqedonas. Tihomir Kostadinoviç mendon se përgatitja maksimale në çdo stërvitje dhe një grup më i gjerë lojtarësh do të jenë veçanërisht të rëndësishëm në periudhën kur përfaqësuesja do të zhvillojë katër ndeshje në vetëm njëmbëdhjetë ditë.
„Mendoj se duhet të jemi maksimalisht të përgatitur në çdo stërvitje. Koha për përgatitje është e shkurtër dhe na presin katër ndeshje në njëmbëdhjetë ditë. Por mendoj se jemi një grup mjaft i madh lojtarësh që të gjithë mund të luajnë dhe të japin maksimumin e tyre, në mënyrë që të jemi të suksesshëm në të gjitha ndeshjet dhe të paraqitemi në dritë të mirë.“

Për Kostadinovin, cikli i ardhshëm do të jetë treguesi i vërtetë i cilësisë dhe mundësive aktuale të përfaqësueses së Maqedonisë në konkurrencën me përfaqësuese të forta evropiane.
„Mendoj se ky do të jetë një test i vërtetë për ne, për të parë se ku jemi për momentin dhe për të treguar se mund të përballemi edhe me ato përfaqësuese. Sigurisht, mund të them se të gjitha përfaqësueset e tjera janë favorite, por kjo nuk do të thotë asgjë. Gjithçka do të tregohet në fushë. Duhet të japim maksimumin në çdo ndeshje dhe mendoj se do të paraqitemi në dritë të mirë.“
Futbollisti maqedonas thekson se për sukses do të nevojitet angazhimi maksimal i të gjithë ekipit, pavarësisht nëse bëhet fjalë për detyra mbrojtëse apo sulmuese. Sipas tij, loja në të dyja drejtimet duhet të jetë përgjegjësi e përbashkët e të gjithë futbollistëve.
„Edhe në sulm, edhe në mbrojtje, të gjithë duhet të punojmë si një i vetëm. Mund të shënohet gol nga një goditje standarde, mund të shënojë edhe një mbrojtës. Mendimi im personal është se mbrojtja fillon nga sulmi, por edhe sulmi fillon nga mbrojtja. Të gjithë njëmbëdhjetë, përveç Stoles, mund ta rrezikojnë portën.“
Pikërisht krijimi i rasteve dhe konkretizimi i tyre do të jenë pjesë e rëndësishme e planit të Maqedonisë në katër ndeshjet.
„Sigurisht që do të punojmë në këtë drejtim, për të krijuar sa më shumë raste dhe për të shënuar gola. Mendoj se këto katër ndeshje do të jenë një test i vërtetë për këtë.“





