Bregallnica arriti të mposhtë Shkupin në ndeshjen e fundit të xhiros së 8-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë, duke e lënë ekipin mysafir ende pa fitore në ecurinë e deritanishme të kampionatit.
Skuadra nga Shtipi arriti ta sigurojë fitoren me një gol në pjesën e dytë. Pas një pjese të parë pa gola dhe pa raste, në pjesën e dytë të dyja skuadrat u shfaqën më ofanzive.
Dy rastet e para i patën futbollistët e Bregallnicës. Fillimisht, pas goditjes me kokë, Vlajkoviqi duhej të shpëtonte topin nga vija e portës, ndërsa në minutën e 60-të Natanielli pati një rast të shkëlqyer, por portieri Naumovski ishte i jashtëzakonshëm.
Shkupi u kundërpërgjigj me një goditje të Bozhinovskit, të cilën e priti Jashari, e më pas erdhi edhe goli. Luhej minuta e 72-të kur Maksimoviqi nga krahu i djathtë e shërbeu shkëlqyeshëm Gligorovin, i cili me një goditje të shkëlqyer të parë e mposhti Naumovskin dhe i dha epërsinë skuadrës së tij.
Shkupi u përpoq sërish ta tundte rrjetën e kundërshtarit, ndërsa Gordiqi pati rastin më të mirë, por Jashari ishte i sigurt dhe nuk lejoi barazimin në minutën e 76-të.
Deri në fund të ndeshjes, Bregallnica ishte më pranë shënimit për 2:0, pasi Stojanovi pati një rast të mirë pas një aksioni individual, por Naumovski priti një rast të artë.
Kështu, skuadra nga Shtipi arriti ta ruajë portën e paprekur dhe rezultati mbeti i pandryshuar, për tri pikë të reja për Bregallnicën, ndërsa Shkupi mbeti në vendin e fundit në tabelë.





