Java e 26-të i elitës së futbollit maqedonas fillon sot, me dy ndeshje në program. Ekipi i Bashkimit, pas një barazimi (2-2) kundër Tikveshit në raundin e mëparshëm, tani kërkon pikë të plota në shtëpi në Kumanovë kundër ekipit AP Brera.
Kjo ndeshje është e veçantë për Fodaj Travelli-n, ish-lojtarin e AP Brera-s që tani luan për Bashkimin. Ai beson se skuadra është gati për këtë sfidë.
"Ndeshja kundër AP Brera është shumë e rëndësishme për ne, pasi po hyjmë në një fazë vendimtare të kampionatit. Jemi maksimalisht të përqendruar dhe të përgatitur. Shpresojmë të fitojmë tri pikët", tha Travelli.
Kjo do të jetë ndeshja e tretë midis Bashkimit dhe AP Brerës këtë sezon. Ekipi i Kumanovës është ende në pritje të fitores së parë kundër Strumicës, e cila regjistroi një fitore dhe një barazim në dy takimet e mëparshme. Ndeshja midis Bashkimit dhe AP Brerës do të luhet në stadiumin e Bashkimit në Kumanovë, duke filluar nga ora 15:30.





