Vardari festoi ndaj Shkëndijës në Tetovë!

Pas tetë vitesh, Vardari festoi në Tetovë kundër Shkëndijës në derbin të javës së 1o-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë. Klubi më i trofeshëm në Maqedoni festoi me rezultatin minimal 0:1 në transfertë në Tetovë. Ky është triumfi i parë i "kuqezinjve" pas 21 ndeshjeve të luajtura.

Me këto tri pikë, Vardari u ngjit në pozicionin kryesues në rënditje pas dhjetë xhirove të luajtura me 24 pikë, përpara Strugës, e cila ka një pikë më pak, ndërsa Shkëndija është në vendin e katërt me 21 pikë.

Ndeshja në Tetovë filloi me një lojë të kujdesshme taktike të të dy trajnerëve. Në pjesën e parë nuk pati shumë emocione, skuadra vendase u përpoq të gjuante nga distanca, por portieri Davor Taleski ishte i shkëlqyer dhe nuk lejoi surpriza. Vardari fillimisht kërcënoi me anë të Matos, topi i të cilit u largua, dhe më pas Matiç gjuajti mbi portë. Më afër golit ishte Azer Omeragiç, i cili, pas një krosimi nga Mato, godet me kokë përtej shtyllës.

Momenti më emocionues në pjesën e parë ishte në minutën e 31-të, kur Shkëndija krijoi tri raste të shkëlqyera vetëm për pak sekonda. Besart Ibraimi gjuajti në mënyrë të rrezikshme nga një goditje dënimi, por Taleski bëri një pritje fenomenale. Pas rikthimit të topit, gjuajtja e Spahiut u largua nga Filip Najdovski nga vija e portës, dhe më pas përpjekja e dytë e Ibraimit u prit nga Taleski. Pjesa e parë përfundoi pa gola.

Pikërisht në fillim të pjesës së dytë, pas një goditjeje nga këndi nga Vardari, Alhasan bëri një lëvizje të pakujdesshme dhe luajti me dorë në një kërcim. Gjyqtari Stojançe Trpçevski tregoi nga pika e penalltisë, dhe David Babunski shënoi me besim për një epërsi 0:1 në minutën e 49-të.

Pas epërsisë, Vardari luajti me qetësi dhe pjekuri. Mato vazhdoi t’i shkaktonte probleme mbrojtjes së Shkëndijës, ndërsa vendasit tentuan me anë të Tambës dhe Ibraimit, por Davor Taleski ishte i pagabueshëm midis shtyllave. Në minutat e fundit, të rinjtë Danev dhe Todorovski sollën freski në radhët e Vardarit, të cilët mund ta kishin rritur epërsinë me anë të kundërsulmeve, por mungonte pasimi i fundit.

Në minutën e 87-të, Ibraimi shënoi një gol për kënaqësinë e tifozëve vendas, por pas një rishikimi të VAR-it, goli u anulua për shkak të pozicionit jashtë loje.

Tri pikët shkuan në Shkup, dhe Vardari konfirmoi edhe një herë me këtë fitore se po kthehet me stil. Në javën e ardhshme Vardari do të presë Sileksin në një tjetër derbi në krye, ndërsa Shkëndija do të vizitojë Brerën në Strumicë.