Në kuadër të xhiros së 8-të të Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë, Arsimi do të përballet me ekipin e FC Shkupit. Ndeshja ka rëndësi të madhe për ekipin vendas, Arsimi dëshiron të kthehet te fitoret pas humbjes së pakëndshme nga Brera në Strumicë, ndërsa FC Shkupi është në një seri rezultatesh të këqia dhe kërkon një rrugëdalje nga kriza. Dueli në Gostivar është një mundësi e shkëlqyer për ekipin vendas për të fituar pikë të rëndësishme në garën për një pozicion më të mirë në tabelë.
Një nga lojtarët kryesorë të Arsimit, Bashkim Velija, është plot optimizëm dhe vendosmëri përpara kësaj ndeshjeje.
"Është normale që jemi të zhgënjyer që nuk e mundëm Brerën, sepse nuk realizuam shumë raste. Por futbolli është i tillë, duhet të shohim përpara. Tani po përballemi me një kundërshtar si Shkupi, e dimë që janë në krizë, por do të dalim në fushë vetëm për të fituar. Duam të kapim një ritëm fitues dhe të tregojmë vlerat tona", tha Velija.
Lojtari i Arsimit theksoi se atmosfera në ekip është pozitive dhe se të gjithë lojtarët janë të gatshëm të japin maksimumin.
"Kemi energji të mirë në ekip dhe të gjithë jemi të përqendruar në të njëjtin qëllim. Me mbështetjen e publikut, besoj se mund të arrijmë rezultatin e dëshiruar", shtoi Velija.
Arsimi ka treguar shpirt luftarak këtë sezon, por rezultatet shpesh nuk pasqyrojnë përpjekjen e bërë. Prandaj, ndeshja me Shkupin shihet si një mundësi e vërtetë për ekipin për të rifituar vetëbesimin dhe për t'u sjellë gëzim tifozëve. Ndeshja do të luhet të shtunën në stadiumin e qytetit në Gostivar, duke filluar nga ora 15:00.





