Arsimi me një tjetër rikthim të madh, barazim dramatik me Rabotniçkin

Arsimi dhe Rabotniçki ndan pikët pas barazimit emocionues, në një ndeshje ku të dyja ekipet shënuan nga dy gola secila. Ndeshja solli lojë dinamike, shumë emocione dhe katër gola.

Ndeshja nisi me një ritëm ofensiv nga të dyja palët. Në minutën e 7-të, Besagiç dhe Shefiti kombinuan bukur, por gjuajtja e Shefitit përfundoi mbi traversë. Rabotniçki pati rastin më të mirë në minutën e 27-të me anë të Kadriut, por portieri Islami ndërhyri shkëlqyeshëm dhe shpëtoi portën e tij.

Vetëm tre minuta më vonë, Arsimi u kundërpërgjigj me një sulm të rrezikshëm, kur Shefiti gjuajti fort nga distanca, por portieri i Rabotniçkit ishte përsëri në lartësinë e detyrës. Avantazhi i romantikëve erdhi në minutën e 40-të, Demir Imeri e mposhti portierin me një gjuajtje të saktë me këmbën e djathtë për 1:0. Vetëm një minutë më vonë, pas një krosi nga krahu i djathtë i Imerit, Drleviç për fat të keq goditi portën e tij dhe e çoi rezultatin në 2:0, rezultat me të cilin përfundoi pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, Arsimi nisi shumë më agresivisht, duke kërkuar golin e shpresës. Në minutën e 68-të, Bashkim Veliu shënoi një gol të vërtetë evropian nga rreth 35 metra, duke e zvogëluar rezultatin në 2:1. Presioni i ekipit vendas vazhdoi, dhe në minutën e 85-të, pas një rrëmuje të madhe në zonën e penalltisë së Rabotniçkit, Alban Taipi arriti të shënonte golin. Fillimisht, gjyqtari e anuloi golin për shkak të pozicionit jashtë loje, por pasi konsultoi sistemin VAR, goli u njoh për gëzimin e lojtarëve vendas dhe të publikut.

Pas këtij barazimi, Arsimi arriti në 12 pikë dhe është në vendin e tetë në tabelë, duke vazhduar serinë pozitive. Rabotniçki mbetet në pozicionin e dhjetë me vetëm 7 pikë, duke vazhduar krizën e rezultateve.