Bashkimi superior në duelin ndaj Shkupit

Skuadra e Bashkimit nga Kumanova, ashtu siç pritej, arriti një fitore kundër Shkupit në kuadër të raundit të 10-të të kampionatit vendas të futbollit, me rezultatin bindës 4–1.

Në minutat e para të ndeshjes, skuadra vendase nisi furishëm. Në minutën e pestë, pas një depërtimi të shkëlqyer nga e djathta, Filip Aleksoski luajti me saktësi ndaj Ajdogan, i cili nuk arriti të gjuante sepse u ndal nga mbrojtësi mysafir. Vetëm pak çaste më vonë, rolet ndryshuan, tani Aydogan asistoi ndaj Aleksoskit, i cili goditi rrjetën, por gjyqtari ngriti flamurin e pozicionit jashtë loje. Pas shqyrtimit të situatës me VAR, u arrit në përfundimin se goli ishte i rregullt, kështu që Bashkimi kaloi në epërsi me 1:0.

Në minutën e 20-të, Shkupi pati një rast për të barazuar rezultatin me anë të Ardit Destanit, por gjuajtja e tij u prit mirë nga portieri Stojkovski. Vetëm dy minuta më vonë, Destani provoi përsëri, por këtë herë portieri i Bashkimit ishte në lartësinë e detyrës.

Në minutën e 26-të, Marko Simonovski shënoi gol, pas një aksioni që nisi nga krahu i majtë përmes Avornios, duke treguar klasin e një golashënuesi të vërtetë dhe duke e çuar epërsinë në 2:0.

Në minutën e 39-të, pas një prekjeje me dorë në zonën e penalltisë së Bashkimit nga Muharem Mislimi, gjyqtari akordoi penallti për mysafirët. Erion Shuku ishte preciz nga pika e bardhë dhe e zvogëloi rezultatin në 2:1. Megjithatë, në kohën shtesë të pjesës së parë të përcaktuar nga gjyqtari, Emmanuel Avornio shënoi gol për 3:1 me një depërtim të shkëlqyer nga ana e majtë, duke konfirmuar dominimin e skuadrës nga Kumanova në pjesën e parë.

Pjesa e dytë filloi me Bashkimin në kontroll të plotë, i cili krijoi disa raste serioze. Më i rrezikshmi ishte Simonovski, pas një asisti nga Alimi, por gjuajtja e tij përfundoi direkt në duart e portierit Meliqi. Dominimi i Bashkimit u kurorëzua në minutën e 55-të, kur Nedim Haxhiç shënoi për 4:1.

Deri në fund të ndeshjes, vlen të theksohen shanset e Hajvalit dhe Nazifit për Shkupin, si dhe të Alimit dhe Hadxhiçit për Bashkimin, por portieri Meliqi parandaloi një humbje edhe më të rëndë për mysafirët. Pas xhiros së 10-të, Bashkimi mbetet në vendin e pestë në tabelë, ndërsa Shkupi është i fundit me vetëm një pikë të fituar.