Me dy raunde të mbetura para se të mbyllet seyoni aktual LPFM, Arsimi dhe Bashkimi përballen me një takim të drejpërdrejt që mund të vendos për mbijetesë në elitën e futbollit vendor. Pikët e "arta" janë në tavolinë dhe presioni është sjellë në pikën e vlimit.
Arsimi vendas është në një seri të shkëlqyer me 10 pikë nga pesë ndeshjet e fundit, por Bashkimi, pas triumfit ndaj Shkendisë, tregoi se di të përballet me favoritët. Kumanova vjen në Gostivar me një qëllim - mbijetesën e sigurt në Ligën e Parë.
“Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për të dyja ekipet. Arsimi kërkon pikë për t’u larguar nga zona e play-off-it, ndërsa Bashkimi dëshiron ta mbyllë sezonin pa shqetësime. Ne jemi ekipe që respektojnë njëra-tjetrën, por gjatë atyre 90 minutave të gjithë do të luftojnë për tre pikët e ‘arta’”, tha Rexhep Murati.
Sipas tij, presioni është në anën e vendasve, gjë që mund të jetë një avantazh për ekipin nga Kumanova.
"Shpresoj që të kthehemi nga Gostivari me fitore dhe të vulosim me sukses sezonin tonë të parë në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë (LPFM). Besoj se presioni mbi vendasit do të jetë në avantazhin tonë", shtoi ndër të tjera Murati.
Në 10 ndeshjet e mëparshme kokë më kokë midis këtyre dy ekipeve, Arsimi ka regjistruar 5 fitore, 2 ndeshje kanë përfunduar barazim, ndërsa Bashkimi ka triumfuar 3 herë.
Ndeshja e xhiros së 31-të midis Arsimit dhe Bashkimit do të luhet në stadiumin e Gostivarit, me fillim në orën 16:00.





