Kampioni në fuqi i Maqedonisë në futboll, Shkëndija, e përfundoi pjesën e vjeshtës të sezonit në pozicionin e tretë në tabelë, gjashtë pikë pas Vardarit të vendit të parë dhe pesë pikë pas Strugës TL, të vendit të dytë.
Trajneri i “kuqezinjve” të Tetovës, Jeton Beqiri, beson se skuadra e tij duhej të kishte 3-4 pikë më shumë, pra, për t’u afruar më shumë me dy skuadrave kryesuese, Vardarit dhe Struga TL, por edhe se vjeshta evropiane dhe paraqitjet në grupin e Ligës së Konferencës patën ndikim në lojën dhe rezultatet e skuadrës.
"Sa i përket bilancit të pikëve, prisja 3-4 pikë më shumë. Gjithashtu, vjeshta evropiane, përqendrimi i lojtarëve në performancat në Ligën e Konferencës, e gjithë kjo ka ndikim. Do të doja të theksoja gjithashtu se pati 2-3 gabime në dëmin tonë dhe ato ndikuan në tabelën përfundimtare. Megjithatë, ne do të përqendrohemi maksimalisht në kampionat në pjesën e pranverës, ka ende 17 ndeshje për t'u luajtur dhe mendoj se gjithçka është e hapur, megjithëse Vardari dhe Struga kanë një avantazh pikësh dhe janë ekipe të mira. Shpresojmë të luajmë shumë më mirë dhe të kemi rezultate shumë më të mira si në kampionat ashtu edhe në Kupë në pjesën e dytë të sezonit", tha Beqiri.

Lidhur me përgatitjet dimërore dhe afatin kalimtar, trajneri Beqiri theksoi se skuadra do të përforcohet, por është e mundur që disa lojtarë të shiten duke pasur parasysh interesin pas vjeshtës së suksesshme evropiane.
"Ekipi me siguri do të përforcohet. Tashmë kemi bisedime paraprake me disa lojtarë. Tani edhe lojtarët e Shkëndijës do të jenë të kërkuar në treg duke pasur parasysh performancat e tyre të suksesshme evropiane, kështu që ndoshta dikush do të shitet. Por sidoqoftë, mendoj se do të kemi një ekip cilësor për pjesën e dytë të sezonit", përfundoi Beqiri.




