Pas fitores në ndeshjen e fundit dhe formës së mirë që po kalon skuadra, Arsimi do të luajë sot një tjetër ndeshje shumë të rëndësishme në kuadër të javës së 28-të të kampionatit vendor të futbollit, ku do të përballet me Rabotniçkin.
Përpara kësaj ndeshjeje, mbrojtësi i Arsimit, Muhjedin Dardhishta, theksoi se skuadra është në ngritje dhe se atmosfera në ekip është në një nivel të lartë.
"Ekipi është në ngritje, dhe fitorja kundër Pelisterit rriti ndjeshëm besimin dhe motivimin e lojtarëve. Duhet ta shfrytëzojmë sa më shumë këtë seri pozitive për të vazhduar me rezultate të mira", tha Dardhishta.
Ai shtoi se vëmendja tani është plotësisht te ndeshja kundër Rabotniçkit, të cilën e vlerësoi si një kundërshtar serioz dhe cilësor.
"Presim një ndeshje të vështirë. Rabotniçki është një rival i fortë, por ne do të hyjmë në fushë me përkushtim maksimal. Qëllimi ynë është të marrim një rezultat pozitiv", shtoi mbrojtësi i Arsimit.
Mesazhi nga kampi i Arsimit është i qartë, forma është në rritje, morali është i lartë dhe skuadra është gati të vazhdojë serinë e rezultateve të mira në Shkup. Ndeshja midis Rabotniçkit dhe Arsimit do të luhet sot, duke filluar nga ora 13:00, në stadiumin "Todor Proeski" në Shkup.





