KF Skopje synon rezultat pozitiv nga transferta në Shtip

Në ndeshjen e fundit të xhiros së tetë në Ligën e Parë të Futbollit, skuadra e Skopjes sonte do të jetë mysafire në Shtip, ku do të përballet me Bregallnicën.

Motivimi te skuadra nga Autokomanda është i madh, për të arritur më në fund fitoren e parë në elitë.

Shtipi konsiderohet një fushë „e nxehtë“ për të luajtur, por të përzgjedhurit e Muarem Muaremit besojnë se mund të arrijnë rezultat pozitiv.

„Jemi të përgatitur për një përballje të denjë dhe shpresojmë për një rezultat pozitiv“, porosisin nga kampi i Shkupit.

Pas shtatë ndeshjeve të zhvilluara, Skopje ka grumbulluar tri pikë dhe aktualisht ndodhet në vendin e fundit të tabelës, ndërsa Bregallnica ka shtatë pikë dhe renditet e teta.

Ndeshja ndërmjet Bregallnicës dhe Skopjes do të zhvillohet sonte, duke filluar nga ora 18:00, në stadiumin e qytetit në Shtip, ndërsa do të drejtohet nga arbitri kryesor Stojançe Trpçevski.