Skuadra e Shkëndijës, pas eliminimit nga garat europiane, i kthehen plotësisht kampionatit vendor, ku pas dy fitoreve në dy ndeshjet e para (me gol-diferencë 5:0, përfshirë derbin ndaj Vardarit), synimi i vetëm mbetet rikthimi i titullit kampion
Mesfushori brazilian, Rafael Freitas, beson se Shkëndija duhet të ruajë nivelin e lartë të lojës nga fazat evropiane në kampionatin vendas.
“Pa asnjë dyshim besoj se mund ta ruajmë nivelin. Siç e patë, patëm një paraqitje mjaft të mirë në Evropë dhe mendoj se i kemi të gjitha kushtet e mundësitë për të vazhduar të tregojmë këtë futboll të mirë gjatë gjithë kampionatit. Ka shumë ndeshje përpara, ndeshje të vështira dhe konkurruese, por ne duhet të tregojmë forcën e grupit tonë, të kërkojmë përmirësim ndeshje pas ndeshjeje dhe të ruajmë nivelin e lojës që patëm në Evropë për të arritur objektivat tona,” tha fillimisht Freitas.
Në raundin e tretë, para Shkëndijës do të rreshtohet ekipi i Bregallnicës.
“Ne e dimë se çdo ndeshje është e rëndësishme, por kur vesh fanellën e Shkëndijës çdo ndeshje merr akoma më shumë peshë, sepse e dimë madhështinë e këtij klubi. Është një klub që gjithmonë kërkon të fitojë ndeshjet dhe të shpallet kampion. Kjo është ajo që do të përpiqemi të bëjmë këtë vit, t’i rikthejmë titullin klubit, aty ku meriton të jetë,” tha në fund Freitas.
Takimi Shkëndija-Bregallnica do të zhvillohet të diellën në kompleksin e FFM-së me fillim në orën 19:00.





