Shkëndija hyn në duelin e sotëm me një qëllim të qartë - triumf dhe 3 pikë. Pas serisë prej dy ndeshjesh pa fitore, kuqezinjtë tetovarë e presin Bashkimin në Gostivar, ku për herë të parë në këtë sezon do të luajnë si vendas, pas katër ndeshjeve të zhvilluara nën reflektorët e fushave të FFM-së. Pas humbjes nga Tikveshi dhe barazimit me Arsimin, lideri i tabelës kërkon reagim të menjëhershëm për t’u rikthyer në ritmin e fitoreve.
„Le të jemi realistë, pas humbjes nga Tikveshi menduam se bëhej fjalë për një ditë të keqe, por kur e njëjta gjë na ndodhi edhe me Arsimin, e kuptuam se jemi në një mini-krizë. E respektojmë Bashkimin, e pamë barazimin e tyre 3-3 ndaj Vardarit, por nëse hyjmë në ndeshje me qasjen e duhur dhe në nivelin tonë të dallueshëm, fitorja nuk duhet të vihet në pikëpyetje“, deklaroi kapiteni Besart Ibraimi.
Mbrojtësi i majtë Bojan Dimoski do ta mungojë duelin për shkak të një dëmtimi në kyçin e këmbës. Mesfushori defensiv Drilon Islami është sërish në dispozicion të stafit teknik pas përfundimit të pezullimit për kartonin e kuq ndaj Tikveshit.
Ndeshja Shkëndija – Bashkimi zhvillohet sot në orën 16:00 në stadiumin në Gostivar, ndërsa ndeshjen do ta drejtojë arbitri kryesor Fatmir Bafto.





