Pas humbjes ndaj Pelisterit, Shkëndija u rikthye te fitoret duke mposhtur ekipin e Rabotniçkit me rezultatin 3-0, dhe duke iu afruar Vardarit të vendit të parë me vetëm një pikë diferencë. Sot, "kuqezinjtë" e Tetovës kanë si kundërshtar në shtëpi ekipin e vendit të fundit dhe pritet një triumf i lehtë në garën për vendin e parë në fund të sezonit.
Kampi i Shkendisë është i vetëdijshëm për situatën në të cilën ndodhet kundërshtari i tyre, por thonë se nuk ka vend për nënvlerësim, dhe se deri në fund të kampionatit do të shkojnë për fitore në çdo ndeshje, pavarësisht se kush është kundërshtari i tyre.
"Triumfi bindës ndaj Rabotniçkit pati një ndikim shumë pozitiv në atmosferën në ekip. Pas humbjes së papritur kundër Pelisterit, na u desh të ngriheshim dhe të vazhdonim rrugën tonë drejt mbrojtjes së titullit. Tani jemi të përqendruar maksimalisht në sfidën e radhës, që është skuadra e Shkupit. Na vjen keq që një skuadër me një histori të tillë është në një pozicion të tillë. Por ne jemi Shkëndija dhe pavarësisht vendosjes, respektojmë çdo kundërshtar dhe do të jemi të përqendruar maksimalisht deri në fund të kampionatit për të marrë sa më shumë pikë të jetë e mundur", tha Lorik Jakupi, lojtari i Shkëndijës.
"Duhet të ruajmë formën pozitive, do të luajmë sikur të ishte një ndeshje derbi. Nuk ka vend për nënvlerësime, qëllimi ynë është të fitojmë në një mënyrë dominuese dhe bindëse. Nuk duhet t'ia lëmë asgjë rastësisë në rrugën tonë drejt vendit të parë në tabelë", shtoi Jakupi.
Ndeshja do të luhet në stadiumin e Tetovës, duke filluar nga ora 15:30.





