Milevski: Të gjithë lojtarët e justifikuan besimin

Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll luajti 0:0 në ndeshjen miqësore kundër Letonisë, në provën e fundit para sfidës kualifikuese me Uellsin të martën në Kardif.

Trajneri Blagoja Milevski ndau në konferencën për mediat pas ndeshjes, u shpreh i kënaqur me atë që tregoi skuadra taktikisht, por ajo që mungoi ishte realizimi i saktë për fitore.

"Gjithçka që vendosëm si qëllim për këtë ndeshje, përveç fitores, u përmbush. Doja të shihja se si do të dukej skuadra në një formacion të ri, me detyra të reja taktike dhe në situata që nuk i kemi punuar më parë. Nga kjo perspektivë, jam vërtet i kënaqur. Më vjen keq që kushtet e lojës nuk ishin më të mira. Shpresoj që së shpejti do të bëhen përpjekje për të luajtur në një fushë më cilësore, në mënyrë që të jemi më efikasë në finalizim. Në ato momente të fundit, në fazën e tretë të sulmit, kur kundërshtari është i vendosur në një bllok të dendur, nevojitet një pasim i saktë finalizues, dhe sot kundër Letonisë nuk e patëm atë. Pavarësisht kësaj, krijuam disa raste, por nuk arritëm t'i realizonim. Urime të dyja ekipeve, si Maqedonisë ashtu edhe Letonisë. Jam i kënaqur, të gjithë lojtarët, pavarësisht nëse janë lojtarë standardë apo vijnë nga stoli, e justifikuan besimin. Kjo më jep besim se mund të mbështetem te secili prej tyre", tha trajneri Blagoja Milevski.