Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll zhvilloi ndeshje miqësore me Arabinë Saudite në Pragë duke pësuar disfatë me rezultatin 1:2. përfaqësuesja e Maqedonisë kaloi në epërsi me një gol fantastik me gërshërë nga Aleksandar Trajkovski në minutën e 40-të, por Arabia Saudite barazoi para pushimit me një gol të Al Brikan. Goli i fitores u shënua nga Abdullah Al Hamdan në minutën e 78-të.
Trajneri Blagoja Milevski pas ndeshjes analizoi ndeshjen miqësore.
"Ka shumë momente për të cilat jam i kënaqur, veçanërisht sepse eksperimentuam me formacionin. Fituam dy lojtarë të tjerë që do ta forcojnë konkurrencën në ekip. E kam theksuar, tashmë se ndeshja me Lihtenshtejnin është me rëndësi të madhe për ne, dhe gjithçka tjetër shërben si përgatitje. Luajtëm një ndeshje cilësore kundër një kundërshtari të fortë dhe jam vërtet i kënaqur që punoj me lojtarë të tillë. Të gjithë po përshtaten në formacionin me detyrat e reja. Do të jemi maksimalisht të motivuar kundër Lihtenshtejnit, siç jemi në çdo ndeshje", tha trajneri Milevski.
Përfaqësuesja e Maqedonisë është e fokusuar te ndeshja kualifikuese kundër Lihtenshtajnit (e diel, ora 18:00), e cila do të zhvillohet në Arenën "Todor Proeski" në Shkup, në kuadër të raundit të pestë të kualifikimeve për Kupën e Botës të vitit 2026.





