Visar Musliu pret angazhim maksimal ekipor nga përfaqësuesja e Maqedonisë kundër njërit prej kundërshtarëve më cilësorë në grup.
„Zvicra nuk është vetëm një përfaqësuese e fortë në aspektin ofensiv, por ka cilësi nga portieri deri te sulmuesi. Nuk mund të flasim vetëm për mbrojtjen, sepse do të na duhet lojë ekipore, nga sulmuesi deri te portieri. Të gjithë duhet të kontribuojmë në fazën e mbrojtjes nëse duam të jemi të suksesshëm“, thotë Musliu.
Mbrojtësi pranon se rezultatet në këtë cikël nuk janë ashtu siç i pret publiku, por thekson se ekipi duhet të reagojë.
„Ndodhemi në një situatë të vështirë, nuk kemi rezultate, ndërsa të gjithë i prisnin, sepse e kemi mësuar popullin me rezultate të mira. Duhet ta shikojmë mirë veten, të shohim se çfarë po bëjmë dhe si po sillemi ndaj fanellës. Liga B është më cilësore si në aspektin ekipor, ashtu edhe në atë individual, por duhet të tregojmë diçka. Nuk mund të jetë vetëm kundërshtari ai që dikton lojën.“
Musliu bëri gjithashtu thirrje për mbështetje nga tifozët, veçanërisht në një periudhë kur rezultatet nuk janë në nivelin e dëshiruar.
„Ne jemi njerëz, kemi emocione. Kur gjërat shkojnë mirë, askush nuk thotë asgjë, por kur ka kaq shumë ofendime ndaj dikujt, nuk është mirë. Tani kemi më së shumti nevojë për mbështetje. Për ne nuk është e njëjta gjë të mos kemi fitore dhe gol, por duhet të shikojmë përpara. Presim mbështetje në çdo ndeshje dhe duam që të gjithë të besojnë tek ne. Ashtu siç kemi pasur rezultate të mira më parë, mund të jemi më të mirë edhe në ndeshjet e ardhshme.“





