Përfaqësuesen e Maqedonisë e pret një tjetër përballje me Zvicrën, dhjetë ditë pas ndeshjes në Shkup. Përzgjedhësi Goce Sedlloski pret reagim nga skuadra dhe paraqitje më të mirë në krahasim me përballjen e parë mes tyre.
„E dimë se çfarë përfaqësueseje është Zvicra dhe me çfarë lojtarësh disponon. Duhet t’i korrigjojmë gabimet nga ndeshja e parë. Në fushë do të dalim për të dëshmuar se dimë t’i zgjidhim problemet që i patëm, me lojë kolektive dhe duke luftuar njëri për tjetrin. Zvicra është një superfuqi, por ne nuk kemi ardhur këtu vetëm për të luajtur një ndeshje, por për të bërë diçka. Duam një ndeshje të mirë dhe të gëzohemi pas humbjeve që i patëm“, deklaroi Sedlloski.
Përzgjedhësi Sedloski konfirmoi se gjendja shëndetësore është e mirë dhe se të gjithë futbollistët janë të gatshëm për ndeshjen, ndërsa paralajmëroi edhe ndryshime në formacion për shkak të kalendarit të ngjeshur dhe katër ndeshjeve brenda një periudhe prej 12 ditësh.
„Të gjithë lojtarët që janë ftuar do të kenë mundësinë e tyre. Do të ketë lojtarë të freskët dhe disa ndryshime, sepse një periudhë e tillë nuk mund të përballohet. Nga çdo lojtar dua më shumë. Kemi edhe djem të rinj që janë pranuar mirë nga më të vjetrit dhe nga ndeshja në ndeshje duhet të jemi më të mirë“, shtoi Sedlloski.
Përzgjedhësi theksoi gjithashtu se kritikat duhet të drejtohen ndaj tij, ndërsa futbollistët në këtë moment duhet ta kenë mbështetjen e nevojshme.





