Mustafa: Siguruam mbijetesën, tani vjen festa kundër Struga Trim Lum

Lojtari i Arsimit, Subi Mustafa, shprehu kënaqësinë e tij pas sigurimit të mbijetesës në Ligën e Parë të Futbollit, duke theksuar se ky ishte objektivi kryesor i ekipit këtë sezon. Për të mbyllur sezonin, Arsimi mirëpret ish-kampionen Struga Trim Lum.

"Jemi shumë të lumtur që siguruam matematikisht mbijetesën. Ky ishte qëllimi ynë kryesor dhe besoj se e arritëm me meritë me punë, sakrificë dhe unitet gjatë gjithë sezonit", tha Mustafa.

Ai shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë ata që kontribuan në këtë sukses, nga shokët e ekipit dhe stafi i trajnerëve deri te tifozët.

"Një falënderim i madh për shokët e mi të ekipit, stafin e trajnerëve dhe tifozët tanë që na mbështetën në çdo moment", shtoi ai.

Duke folur për ndeshjen e ardhshme kundër Struga Trim Lum, Mustafa theksoi se ajo do të ketë një karakter festiv për klubin.

"Kjo ndeshje do të jetë një ditë feste për ne. Do të dalim në fushë me motivim dhe respekt maksimal për kundërshtarin tonë, por mbi të gjitha duam ta ndajmë këtë moment me tifozët tanë", tha ai.

Në fund, Mustafa theksoi se qëllimi është që sezoni të përfundohet në mënyrën më të mirë të mundshme.

"Shpresojmë për një ndeshje të mirë dhe një fund të bukur të sezonit", përfundoi Mustafa.

Ndeshja Arsimi-Struga Trim Lum do të luhet sot, duke filluar nga ora 16:00 në stadiumin e qytetit në Gostivar.