Barazim në Çair, nga një pikë për Shkëndijën e Haraçinës dhe Sileksin”

Shkëndija e Haraçinës dhe Sileksi zhvilluan një ndeshje dramatike në stadiumin e Çairit, e cila përfundoi pa fitues 1-1 (1-0). Në një duel me dy penallti të akorduara, disa pritje të shkëlqyera dhe ndërhyrje të VAR-it, të dyja skuadrat u desh të kënaqen me nga një pikë.”

Pjesa e parë solli lojë të kujdesshme nga të dyja palët dhe pak raste të dukshme, por vendasit ishin të parët që thyen akullin. Në minutën e 32‑të, pas një ndërhyrjeje të palejuar në zonën e penalltisë së Sileksit, u akordua penallti për skuadrën e Shkëndijës. Përgjegjësinë e mori kapiteni Besir Demiri, i cili u tregua i qetë nga pika e bardhë për 1‑0 duke shkruar histori me golin e parë për Shkëndijën e Haraçinës në elitën e futbollit tonë.

Shkëndija pati mundësinë ta ngritur epërsinë në minutën e 40‑të me Simonovskin, i cili pas një goditjeje nga këndi gjuajti pak mbi traversë. Para përfundimit të pjesës së parë, Sileksi godet portën e vendasve, por goli u anulua për shkak të pozicionit jashtë loje.

Pjesa e dytë solli futboll dukshëm më dinamik. futbollistët nga Kratova,e nisën ndeshjen me loje ofenzive dhe kërcënuan me Bogdanovskin në minutën e 57‑të dhe Mishovin në minutën e 65‑të, por portieri vendas, Stolevski, me ndërhyrje të shkëlqyera i mbajti portat të paprekura.

Dramë e vërtetë ndodhi në 15 minutat e fundit të ndeshjes. Në minutën e 78‑të, Shkëndija humbi një rast kolosal për ta mbyllur ndeshjen, Livareka, pas krosimit të Kerimit, nga vetëm pesë metra goditi shtyllën. Menjëherë në anën tjetër, Stolevski u shëndërrua në hero i vendasve duke pritur goditjen e Bogdanovskit nga pika e bardhë.

Megjithatë, iniciativa e mysafirëve dha rezultat në minutën e 82‑të. Pas shqyrtimit të pamjeve të VAR-it, gjyqtari kryesor tregoi pikën e bardhë pas ndërhyrjes nga Sharkoski ndaj Bogdanovskit. Këtë herë, Hasukiq ishte realizues i sigurt, duke e dërguar Stolevskin në njërën anë dhe topin në tjetrën për rezultatin përfundimtar 1‑1.

Në xhiron e ardhshme, Shkëndija e Haraçinës do të udhëtojë përballë Tikveshit në Kavadar ndërsa Sileksi në fushën e vet do të presë ekipin e Skopjes