Në Çair u zhvillua një ndeshje interesante mes Shkëndijës së Haraçinës dhe Shkëndijës së Tetovës, e cila përfundoi pa fitues, 1:1.
Skuadra tetovare ishte kundërshtarja më e mirë në pjesën më të madhe të ndeshjes dhe krijoi disa mundësi të shkëlqyera që në pjesën e parë.

Në minutën e 13-të, pas goditjes së lirë të Endrit Krasniqit, Tamba u gjend në një pozicion të mirë, por goditja e tij përfundoi në shtyllë. Vetëm pak çaste më vonë, i njëjti futbollist kërcënoi sërish, por portieri Stolevski reagoi shkëlqyeshëm. Pak më pas, edhe Krasniqi provoi me një goditje të fuqishme, por gardiani i portës vendase përsëri ishte në lartësinë e detyrës.
Presioni i vazhdueshëm i mysafirëve dha rezultat në minutën e 27-të. Krasniqi e gjeti shkëlqyeshëm Krieziun, i cili u rrëzua nga portieri vendas në zonën e rreptësisë. Arbitri kryesor pa hezitim tregoi pikën e bardhë, ndërsa pikërisht Krasniqi ishte i saktë nga penalltia për epërsinë 0:1 të Shkëndijës së Tetovës.

Edhe në pjesën e dytë, mysafirët kishin më shumë nga loja dhe krijuan disa mundësi të mira, por nuk arritën ta rrisnin epërsinë.
Ndëshkimi erdhi në minutën e 77-të, kur zëvendësuesi Marko Simonovski u gjend në vendin e duhur dhe e tundi rrjetën për barazimin 1:1.

Në përgjithësi, ndeshja ishte korrekte, me iniciativën e ish-kampionit nga Tetova, por Shkëndija e Haraçinës edhe një herë tregoi se posedon cilësi dhe karakter. Skuadra nga Shkupi konfirmoi se do të jetë kundërshtare e vështirë për çdo ekip në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë.

Të dyja Shkëndijat duhej të kënaqeshin me ndarjen e pikëve. Tetovarët mbeten liderë të tabelës me 20 pikë dhe në xhiron e ardhshme do të luajnë me Shkupin në Autokomandë, ndërsa skuadra nga Haraçina arriti në kuotën e 14 pikëve dhe do të përgatitet për ndeshjen me Struga Trim Lum në fushën e vet.





