KF Bashkimi ende nuk ka arkëtuar asnjë pikë në sezonin e ri, duke pësuar dy disfata të larta në dy javët e para në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë. Plotë 11 gola të pranuar dhe asnjë të shënuar, flet për një nismë jo të mirë për ekipin nga Kumanova, që beson se me ndrrimin në stafin teknik dhe me trajnerin e ri, Shaban Sulejmanin, do të ndryshojë fatin në kahje positive.
Kundërshtari i ekipi kumanovar është Arsimi, i cili gjithashtu nuk ka asnjë pikë të arkëtuar deri më tani, por me 9 gola të pranuara dhe një gol të shënuar. Para kësaj përballje, Hebib Saiti beson se gjërat pozitive do të vijnë në vazhdim të kampionatit.
“Ndeshjet ndaj Arsimit gjithmonë kanë frymë vëllazërore, por në fushë të dyja ekipet japin maksimumin. Do të bëjmë gjithçka për të arëktuar 3 pikët, por të paktën duam të kthehemi nga Gostivari edhe me një pike,” tha mes tjerash Hebib Saiti.
Kujtojmë se këto dy skuadra deri më tani janë përballur në 11 ndeshje, në të cilat skuadra vendase, ajo e Arsimit ka shijuar fitoren në 5 përballje, ndërsa Bashkimi është gëzuar fitores në 3 takime. Ndërkohë 3 ndeshje janë mbyllur pa fitues.
Ndeshja në mes Arsimit dhe Bashkimit, do të zhvillohet në stadiumin në Gostivar (14 gusht), duke filluar në orën 16.30.





