Përzgjedhësi i përfaqësueses së Maqedonisë në futboll, Goce Sedlloski, publikoi listën e futbollistëve të ftuar për katër ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Zvicrës, Sllovenisë dhe Skocisë.
Në listën e Sedloskit janë katër debutues: mbrojtësit Anes Meliqi dhe Gjorgje Xhekov, mesfushori Matej Gashtarov dhe sulmuesi i Struga TL, Hristijan Maleski.
Pas një pauze prej katër vitesh, në përfaqësuesen e Maqedonisë rikthehet edhe Mario Mladenovski, i cili me paraqitjet e mira me fanellën e Varazhdinit e meritoi ftesën e përsëritur.
Maqedonia e hap ciklin e Ligës së Kombeve më 26 shtator në shtëpi kundër Zvicrës, ndërsa më pas vijojnë ndeshja si mysafire ndaj Sllovenisë më 29 shtator, ndeshja në shtëpi me Skocinë më 3 tetor dhe ndeshja si mysafire ndaj Zvicrës më 6 tetor.
„Mund të presim luftë, përkushtim dhe maksimumin në çdo ndeshje. Asnjëherë si lojtar nuk kam pasur katër ndeshje në dhjetë ditë. Prandaj kam ftuar 25 futbollistë dhe tre portierë. Do të duhet të bëjmë rotacion dhe më shumë lojtarë do të kenë mundësi për tu dëshmuar. Doja të ndërthurja rininë dhe përvojën. Për askënd, dera e përfaqësueses nuk është e mbyllur, por kjo është zgjedhja ime për këto katër ndeshje“, deklaroi Sedlloski.
Përzgjedhësi pret që ekipi, gjatë periudhës së shkurtër të përgatitjeve, të ndërtojë kompaktësinë dhe harmoninë e nevojshme.
„Duhet të jemi kompaktë. Këto pesë ditë do t’i shfrytëzojmë për të treguar se kemi harmoni ekipore. Asnjëherë më parë nuk janë ftuar gjashtë futbollistë nga Liga e Parë e Maqedonisë. Omeragiqi dhe Maleski sezonin e kaluar shënuan rreth tridhjetë gola, ndërsa edhe këtë sezon shënojnë rregullisht dhe e merituan ftesën. Këtu janë Rastoderi dhe Miovski dhe mendoj se jemi të pajisur mirë në sulm. Kemi katër ndeshje pa shënuar gol, por besoj se edhe sulmi do të funksionojë. Mendoj se mesfusha është pika jonë e fortë“, shtoi përzgjedhësi.
Sedlloski paralajmëroi ndryshime edhe në vijën mbrojtëse, me Ilievskin si një nga opsionet në krahun e djathtë, ndërsa në garë është edhe Stojçevski. Ai la të hapur mundësinë që lista të plotësohet më tej.
„Dëshira ime është t’i fitojmë të katër ndeshjet, por realiteti është se edhe kundërshtarët kanë cilësitë e tyre. Për momentin mendojmë vetëm për ndeshjen e parë dhe për Zvicrën. I ndoqa ndeshjet e tyre në Botëror dhe mendoj se do të jenë favoritë në grup. Por besoj se mund të përballemi si me ta, ashtu edhe me Skocinë e Slloveninë“, thotë Sedlloski.
Përzgjedhësi foli edhe për situatën e disa përfaqësuesve në klubet e tyre. Veçanërisht e gëzon fakti që Elif Elmas gjeti një mjedis ku do të ketë mundësi të luajë rregullisht.
„Më gëzon që Elmas gjeti një klub ku do të luajë rregullisht. Fola edhe me Miovskin, i cili në një moment po mendonte të largohej nga Glasgou Renxhers. Por ndodhi një kthesë dhe trajneri i premtoi më shumë minuta. Unë do të jem më i lumtur nëse futbollistët tanë luajnë rregullisht dhe janë në ritëm konkurrues“, deklaroi Sedlloski.
Në konferencën për shtyp, një nga temat për të cilat foli Sedlloski ishte Matej Gashtarov.
Kam biseduar me Matejin dhe do ta kisha ftuar edhe para se të ishte në ekipin e parë të Crvena Zvezdës. Me padurim pres ta ftoj, kemi pesë ditë për stërvitje dhe do të punojmë edhe taktikisht. E shoh në mesfushë, por është polivalent dhe mund të luajë në disa pozicione, deklaroi Sedlloski.





