Bordi Drejtues: Aleksandar Tanevski, është trajneri i ri i përfaqësuese së Maqedonisë U-21

– Bordi Drejtues i Federatës së Futbollit të Maqedonisë mori vendim që Aleksandar Tanevski të emërohet përzgjedhës i ri i përfaqësueses së Maqedonisë deri më 21 vjetë.

Tanevski vjen nga puna me përfaqësueset e të rinjve të FFM-së dhe përfaqësuesen deri në 20 vjeç, dhe e njeh shumë mirë gjeneratën e futbollistëve që duhet të jetë baza e ekipit të ri deri më 21 vjeç. Në dy ndeshjet e fundit të ciklit aktual kualifikues, përzgjedhësi i ri do të ketë mundësinë të punojë me një pjesë të futbollistëve më të rinj dhe gradualisht ta ndërtojë ekipin për ciklin e ardhshëm kualifikues.

Qëllimi është krijimi i një përfaqësueseje konkurruese që do të shënojë rezultate më të mira, por njëkohësisht do të kontribuojë edhe në krijimin dhe zhvillimin e futbollistëve për përfaqësuesen A të Maqedonisë.

Aleksandar Tanevski, gjatë karrierës së tij si trajner, ka drejtuar gjithsej 196 ndeshje zyrtare si drejtues i stafit teknik në Ligën e Parë dhe të Dytë të futbollit të Maqedonisë. Karrierën si trajner e filloi te FC Skopje, duke siguruar promovimin në rangun më të lartë, ndërsa të njëjtin sukses e përsëriti me KF Makedonija Gj.P, ekip me të cilin luajti në finalen e Kupës së Maqedonisë dhe siguroi një vend në Kupat Evropiane. Ka punuar tek Akademia Pandev, ndërsa angazhimin e fundit në një klub e pati te KF Besa.

FFM-ja e falënderon përzgjedhësin e deritanishëm Goran Staniç për kontributin dhe angazhimin e tij në përfaqësuesen deri në 21 vjeç dhe i uron sukses në sfidat e ardhshme profesionale.

– Bordi Drejtues i Federatës së Futbollit të Maqedonisë mori vendim që Dejan Jakimovski të zgjidhet president i Bordit të Arbitrave të FFM-së, duke pasuar presidentin e deritanishëm Bozhinovski. Emil Bozhinovski, për arsye personale, tërhiqet nga detyra e presidentit të Bordit të Arbitrave të Federatës së Futbollit të Maqedonisë. Megjithatë, Bozhinovski mbetet pjesë e trupit të arbitrave në kuadër të Federatës dhe vazhdon të kontribuojë me përvojën e tij shumëvjeçare në zhvillimin dhe avancimin e arbitrimit në futbollin në Maqedoni.

Jakimovski ka përvojë të gjatë vendore dhe ndërkombëtare si arbitër, me më shumë se 500 ndeshje në Ligën e Parë dhe të Dytë të FFM-së dhe mbi 110 ndeshje ndërkombëtare si arbitër i FIFA-s. Gjatë punës së tij të deritanishme ka qenë anëtar i Bordit të Arbitrave, kontrollor i UEFA-s, si dhe menaxher i VAR-it dhe drejtues i projektit gjatë zbatimit të teknologjisë VAR në futbollin në Maqedoni.

– Bordi Drejtues i FFM-së shqyrtoi kërkesën për mbështetje dhe donacion për rikonstruksionin dhe rregullimin e fushës ndihmëse të futbollit me bar artificial „Fusha e Qymyrit“ në Manastir. Duke pasur parasysh rolin e saj të rëndësishëm në zhvillimin e futbollit të të rinjve dhe nevojën për krijimin e kushteve të sigurta dhe cilësore për stërvitje, Bordi Drejtues i FFM-së e pranoiatë dhe miratoidhe mbështetjen për rikonstruksionin e fushës, duke përfshirë zëvendësimin e barit artificial dhe sanimin e sipërfaqes dhe infrastrukturës së nevojshme.

– Bordi Drejtues i FFM-së pranoi propozimin e Komisionit Disiplinor për ndryshimin e tarifave për ankesë pranë Komisionit të Shkallës së Dytë për Parashtresa dhe Ankesa. Me vendimin, tarifa për personat fizikë rritet nga 100 në 200 euro, ndërsa për personat juridikë nga 200 deri në 500 euro, në kundërvlerë në denarë.

– Bordi Drejtues i FFM-së miratoi vendimin për organizimin e Ligave të Fëmijëve në sezonin garues 2026/2027 përmes rajoneve të sapokrijuara të futbollit. Aktivitetet e lidhura me Ligat e Fëmijëve integrohen në Programin Grassroots 2024–2028, duke krijuar kështu një kornizë të unifikuar dhe më të organizuar për zhvillimin e futbollit të fëmijëve dhe përmirësimin e kushteve për kategoritë më të reja.

Për realizimin e aktiviteteve në sezonin 2026/2027 do të përdoren 160.000 euro të siguruara përmes UEFA HatTrick, së bashku me fondet e pritshme nga tarifat e pjesëmarrjes në Ligat e Fëmijëve. Në këtë mënyrë, buxheti i përgjithshëm i destinuar për zhvillimin dhe realizimin e aktiviteteve në futbollin e fëmijëve në kuadër të Programit Grassroots do të jetë mbi 230.000 euro.

Qëllimi është që fondet të orientohen drejt aktiviteteve konkrete që do të kontribuojnë për përfshirjen e një numri më të madh fëmijësh në futboll, kushte më të mira për stërvitjen dhe garimin e tyre, si dhe zhvillim afatgjatë dhe të qëndrueshëm të futbollit të fëmijëve në të gjitha rajonet e futbollit.