Struga Trim Lum, pas dy vitesh si kampion dhe paraqitjeve në skenën evropiane, këtë verë mbeti “duarbosh”, pasi vitin e kaluar ia dorëzoi titullin Shkendijës dhe nuk arriti të bënte hapin e fundit në Kupën e Maqedonisë. Pasuan ndryshime, si në stafin e trajnerëve ashtu edhe në atë të lojtarëve, kështu që me një imazh të rifreskuar dhe të rinovuar, ekipi nga Struga shpreson të rikthehet në rrugët e kampionatit në sezonin që fillon këtë fundjavë.

Bunjamin Shabani është një “vendas”, udhëheqës i ekipit dhe kapiten, dhe paralajmëron se Struga Trim Lum ka kapacitetin dhe cilësinë për të luftuar për renditjen më të lartë në sezonin e ri.
"Kemi një trajner të ri dhe disa lojtarë të rinj, por ambiciet dhe qëllimet janë të njëjta, Struga Trim Lum është gati të luftojë për të qenë në krye të tabelës. Nuk do të jetë e lehtë, kemi respekt maksimal për konkurrentët tanë, por besojmë edhe në cilësitë tona. Do të shohim se si do të shkojë sezoni dhe jemi gati të shkojmë me shpejtësi të plotë që nga fillimi. Me ide të reja në fitore të reja", thotë kapiteni i Struga Trim Lum për faqen zyrtare të FFM-së.
Në fillim, Makedonija GJ.P., skuadra e rikthyer në elitë, do të vizitojë Strugën. Shabani ka respekt maksimal për ta, veçanërisht pasi "luanët" tradicionalisht janë një rival i pakëndshëm për Struga TL.
"Makedonija Gj.P. tradicionalisht është një kundërshtar i vështirë për ne. Ne i respektojmë absolutisht, ata u rikthyen në Ligën e Parë, por menjëherë u përforcuan me disa lojtarë cilësorë. E dimë që çdo fillim është i vështirë, por besoj se do të japim maksimumin tonë dhe se me ndihmën e publikut do të arrijmë të fitojmë tre pikët", thekson Bunjamin Shabani.






