Shkëndija triumfon dhe në Kratova, duke vazhduar efektin maksimal

Ekipi i Shkëndijës vazhdon serinë e fitoreve në fillim të sezonit në Ligën e Parë të Futbollit në Maqedoni, pasi që regjistroi fitoren e pestë në kampionat, dhe fitoi maksimumin prej 15 pikësh.

Ekipi i Tetovës e theu rezistencën e vendasve vetëm në pjesën e dytë dhe absolutisht me meritë arriti një triumf në Kratovë.

Shkëndija pati raste në pjesën e parë, me anë të Kryeziut dhe Ibraimit, por Xhekov shpëtoi portën në të dyja rastet. Më pas Ibraimi shënoi një gol që u anulua për pozicion jashtë loje.

Kryesuesi aktual i LPFM-së, kaloi në epërsi në minutën e 53-të. Ibraimi krosoi, kishte shumë “spektatorë” të Sileksit në zonën e penalltisë, ndërsa Meliqi arriti pa shumë vështirësi të mposht Xhekovin.

Më pas Sileksi pati një shans me anë të Angeleskit, por portieri Ramani nuk e la të mposhtej.

Në minutën e 88-të, Ndzengue vulosi fitoren. Ai mori një top të shkëlqyer nga Zejnullai, doli i vetëm para Xhekovit dhe me qetësi e vendosi topin në rrjetë për një epërsi 0-2 dhe një tjetër fitore për Shkëndijën në kampionat.