Sileksi e Shkëndija në duelin vendimtar për trofeun e Kupës së Maqedonisë

Futbollistët e Sileksit dhe Shkëndijës së Tetovës do të luajnë ndeshjen finale të Kupës së Maqedonisë sonte në orën 20:00 në Arenën "Todor Proeski".

Në ndeshjen e sonte, skuadra e Kratovës do të përpiqet të fitojë trofeun në këtë garë për herë të katërt në historinë e klubit, ndërsa Shkëndija ka dy trofe në koleksionin e saj dhe kërkon edhe trofeun e tretë.

Nëse Sileksi arrin që të triumfojë, do të barazohet me Rabotniçkin për nga numri i trofeve të fituara dhe do të ndalet në vendin e tretë në listën e ekipeve më të suksesshme në Kupën e Maqedonisë.

Nga ana tjetër, me një triumf të mundshëm, Shkëndija do t'i bashkohet Sloga Jugomagnat, Sileksit dhe Makedonija Gj.P., të cilat e kanë shijuar 3 herë triumfin në finalen e madhe të Kupës së Maqedonisë.

Për të dyja ekipet, kjo do të jetë paraqitja e tyre e gjashtë në ndeshjen vendimtare për trofeun e Kupës.

Sileksi për herë të fundit në finale ka luajtur në vitin 2022, kur u mposht nga Makedonija Gj.P pas ekzekutimit më të mirë të penalltive dhe vetëm një vit më parë, fituan trofeun e fundit pasi mposhtën Akademija Pandev, gjithashtu pas gjuajtjeve të penalltive.

Shkëndija u paraqit për herë të fundit në finale në vitin 2018, kur triumfoi ndaj Pelisterit, dhe një sezon më parë, skuadra nga Tetova u mposht nga Pelisteri dhe atë kohë sërish në gjuajtjet e penalltive.

Sileksi luajti finalen e parë në historinë e klubit në vitin 1994. Skuadra nga Kratova ishte me e suksesshme se Pelisteri dhe një vit më vonë u mposhtën nga Vardari në finalen e madhe.

Sileksi fitoi kupën e dytë në histori në vitin 1997, pas triumfit me 4:1 kundër Slloga Jugomagnatit.

Shkëndija pati shansin e parë për të triumfuar në Kupën e Maqedonisë, plot 20 vjet më parë. Në paraqitjen e saj të parë në finale, skuadra nga Tetova, u mposht me 3:2 kundër Makedonija Gj.P. Në vitin 2013, pati një tjetër pjesëmarrje në finale, por atëherë fitoi rivali i qytetit Teteksi, pas ekzekutimit më të mirë të penalltive.

E para nga dy kupat e fituara nga skuadra e Tetovës, erdhi një dekadë më parë, pasi mposhti Rabotniçkin me 2:0.

Të dyja ekipet e nisën udhëtimin e tyre drejt finales së madhe në raundin e parë eliminator.

Sileksi e mposhti Eurotipin me rezultatin 7:1 në fillim si mysafir, ndërsa Shkëndija triumfoi ndaj Jeni Male me rezultatin 9:0.

Në raundin e 1/8 së finales, Sileksi shënoi fitore 2:1 ndaj Bashkimit në Kumanovë, dhe Shkëndija eliminoi Tikveshin me 2:0.

Për të kaluar në gjysmëfinale, Sileksi regjistroi fitoren 3:0 ndaj Detonit Plaçkovica, ndërsa Shkëndija mposhti Struga Trium Lum me 3:2 si mysafire.

Në gjysmëfinale, Sileksi barazoi 1:1 në ndeshjen e parë jashtë fushe në Ohër, dhe fitoi 1:0 në ndeshjen e kthimit.

Shkëndija e Tetovës dy herë ishte më e sukseshme se sa Shkëndija e Haraçinës. Në ndeshjen e parë në shtëpi fitoi me rezultat 3:2, ndërsa në ndeshjen e dytë triumfoi me 2:0.

Në tre ndeshjet e zhvilluara gjatë sezonit, Shkëndija ka dy fitore, të parën në Tetovë me 2:0, dhe më pas në transfertë në Kratovë me 2:1. Në ndeshjen e fundit, Sileksi ishte përsëri nikoqir dhe këtë herë të dyja ekipet shënuan nga një gol.

Finalja e tridhjetë e katërt e Kupës së Maqedonisë do të luhet në Arenën ,,Todor Proeski", me fillim në orën 20:00.