Stadiumi “Petar Milloshevski” në Manastir ka marrë konfirmim zyrtar nga UEFA dhe do të jetë nikoqir i ndeshjes kualifikuese për Kampionatin Evropian më 9 shtator, në të cilën përfaqësuesja e Maqedonisë U-21do të përballet me kombëtaren italiane.
Federata e Futbollit e Maqedonisë (FFM), në bashkëpunim me Komunën e Manastirit, zbatoi investimin me vlerë rreth 150,000 euro në një periudhë prej gati 40 ditë, duke i dhënë stadiumit përmirësime të konsiderueshme dhe një pamje moderne.
Në tribunën jugore janë instaluar karrige të reja, shtegu prej tartani (hapësira midis fushës dhe tribunave) është rinovuar dhe shtruar plotësisht, dhomat zyrtare dhe zona e mediave janë pajisur plotësisht me mobilje dhe pajisje të nevojshme, janë blerë stola të rinj për lojtarët rezervë të futbollit, është rregulluar zona VIP dhe stadiumi gjithashtu mori një donacion nga FFM-ja një tabelë moderne me LED teknologji.
Për më tepër, fusha është rinovuar me makineri dhe personel të punësuar nga federata, duke siguruar gatishmëri maksimale për ndeshjen e ardhshme.

Me investimet dhe ndërhyrjet e bëra, stadiumi "Petar Milloshevski" përmbush standardet evropiane dhe bëhet mikpritës i ndeshjeve të nivelit të lartë. Kjo përfaqëson një hap të rëndësishëm për zhvillimin e infrastrukturës dhe për afirmimin e futbollit në Manastir dhe rajon.
Investimet janë pjesë e strategjisë së qartë të menaxhmentit të FFM-së për modernizimin e stadiumeve në të gjithë vendin.
Ajo që premtoi kreu i FFM-së, Masar Omeragiç, përmirësimin e kushteve dhe kthimin e futbollit në Manastir, sot është një realitet dhe konfirmim i fortë se futbolli në Maqedoni po ec në drejtimin e duhur.
Masar Omeragiç – President i FFM-së:
"Suksesi në Manastir është një shembull për të gjithë. Falë punës së përkushtuar të kryetarit të bashkisë Konjanovski dhe ekipit të tij në bashki, brenda një kohe të shkurtër e kemi sjellë stadiumin 'Petar Milloshevski' në standarde të reja, të cilat i ka konfirmuar edhe vetë UEFA. Kjo është prova më e mirë se kur punojmë së bashku, rezultatet janë të dukshme."
Faza jonë e radhës është mbështetja e procesit të rindërtimit të stadiumit të qytetit në Tetovë, duke vazhduar kështu përmbushjen e strategjisë sonë për përmirësimin e infrastrukturës së futbollit në të gjithë vendin."






