Askush deri tani nuk ka arritur ta ndalë Shkëndijën në këto pesë xhiro të para të Ligës së Parë në Maqedoni. Tani radha i erdhi Tikveshit të përpiqet ta bëjë këtë. Pas barazimit me Vardarin në shtëpi, me një lojtar më pak, atmosfera dhe dëshira për një rezultat të mirë janë të pranishme edhe para kësaj ndeshjeje.
Nga kampi i skuadrës nga Kavadari shpresojnë se me lojë të disiplinuar dhe luftarake do të sigurojnë rezultatin e dëshiruar nga ndeshja me Shkëndijën.
Besir Ramadani beson se, nëse në ekip do të ketë të njëjtën energji si kundër Vardarit, atëherë në fund mund të nxirret një rezultat i mirë edhe sot kundër Shkëndijës.
„Pres një ndeshje të vështirë, Shkëndija është në formë të shkëlqyer dhe ka edhe individë të shkëlqyer. Për ne gjëja më e rëndësishme është të jemi kompaktë si ekip, të mos u lëmë hapësirë dhe t’i shfrytëzojmë rastet që do të na krijohen. Nëse jemi maksimalisht të disiplinuar dhe luftarakë gjatë gjithë ndeshjes, besoj se mund t’u bëjmë ballë dhe të arrijmë një rezultat pozitiv.
Barazimi me Vardarin na dha vetëbesim, sepse treguam se mund të përballemi edhe me ekipe cilësore. Nëse e përsërisim energjinë dhe qasjen që kishim kundër Vardarit, mendoj se mund të arrijmë një rezultat të mirë dhe ta befasojmë Shkëndijën“, tha futbollisti i Tikveshit, Besir Ramadani.





