Manev: Jemi të përgatitur të japim maksimumin, nuk ka relaksim për Shkëndijën

Me një bilanc perfekt prej 5 fitoreve në po aq ndeshje në fillim të sezonit të ri, atmosfera në kampin e Shkëndijës së Tetovës është në nivelin më të lartë. Mbrojtësi qendror Jovan Manev konfirmoi se ekipi është plotësisht i përqendruar për vazhdimin e serisë së fitoreve.

„Rezultatet e mira janë synimi i çdo futbollisti, por kjo nuk na mashtron dhe as nuk na bën të kënaqur – na pret ende shumë punë. Te ne nuk ka aspak vend për relaksim, sepse duam të jemi edhe më të mirë se ajo që kemi treguar deri tani“, theksoi mbrojtësi 25-vjeçar.

Shkëndija hyn me të njëjtën qasje ndaj çdo rivali për t’i fituar tre pikët.

„Hymë me 100% përqendrim ndaj të gjithëve. Edhe pse Tikveshi është një kundërshtar jashtëzakonisht cilësor dhe çdo ndeshje ka peshën e vet, jam i bindur se të gjithë do të japim maksimumin për të arritur një tjetër rezultat pozitiv“, përfundoi Manev.

Rafael Freitas dhe mbrojtësi i majtë Bojan Dimoski mbeten jashtë skuadrës për shkak të lëndimeve, ndërsa në ekip rikthehen Endrit Krasniqi dhe Marko Gjorgjevski. Portieri Bubukar Gaye është rikthyer në stërvitje, por për aktivizimin e tij do të vendoset pak para ndeshjes.

Kjo do të jetë përballja e 22-të mes këtyre dy ekipeve, në të cilën „kuqezinjtë“ kanë 15 fitore, Tikveshi ka triumfuar vetëm një herë, ndërsa 5 ndeshje kanë përfunduar me barazim.

Ndeshja Shkëndija Tetovë – Tikvesh do të zhvillohet në stadiumin në kompleksin e FFM-së, duke filluar në orën 19:00, ku drejtësinë do ta ndajë gjyqtari Benjamin Qerimi.