Vardari u rikthye në fronin e LPFM-së

Futbollistët e Vardarit e mbyllën me triumf sezonin në Ligën e Parë dhe festuan rikthimin në fronin e futbollit në Maqedoni me një fitore 3:0 në duelin kundër konkurrentit të tyre më të madh Shkëndijës nga Tetova.

Për Vardarin, ky është trofeu i parë i kampionatit pas një pushimi gjashtëvjeçar dhe i 12-ti në total në historinë e klubit.

Kampioni i ri kaloi në epërsi në minutën e 22-të kur Numan Ajetoviçi shënoi një autogol. Në minutën e 36-të, Goran Zakariç e ngriti rezultatin në 2:0, dhe Boban Nikolov e konfirmoi triumfin me një gol të shënuar nëntë minuta para përfundimit të ndeshjes.

Shkëndija pati mundësinë të shënonte nga penalltia, por Liridon Latifi nuk arriti ta shndërronte në gol goditjen e tij të penalltisë në dy tentime.

Pas penalltisë së parë, portieri i “kuqezinjve”, Davor Taleski, reagoi shkëlqyeshëm, dhe arriti të priste gjuajtjen e dytë pasi gjyqtari Benjamin Qerimi vendosi të përsëris gjuajtjen.

Kampioni i ri i Maqedonisë e përfundoi sezonin me 80 pikë, gjashtë më shumë se Shkëndija. Ekipi i Goce Sedloskit regjistroi 25 fitore dhe pesë barazime, dhe vetëm dy herë pësoi disfatë.

Lojtari më efikas në radhët e kampionit është Azer Omeragiç me 14 gola, Mato Roxhers, i cili u largua nga skuadra në merkaton e dimrit duke shënuar 12 herë, dhe në vendin e tretë me 11 gola është Goran Zakariç.