Ibraimi: Lodhja ka ndikim, por kundër Makedonija Gj.P besoj se mund të arrijmë deri te rezultati i dëshiruar

Shkëndija në raundin e dytë të sezonit të ri në Ligën e Parë të Futbollit do të luajë si mysafire në Shkup, në stadiumin në "Gjorçe Petrov", kundër Makedonija GJ.P. Kjo është ndeshja e parë si mysafire për kampionin në sezonin e ri, pasi ndeshja e parë në kampionatin e ri u mbylli me fitore bindëse ndaj Shkupit 5:1. Ekipi i Tetovës hyn në këtë ndeshje pas humbjes dhe eliminimit nga Karabagu në raundin e 3-të kualifikues në Ligën e Kampionëve, por golashënuesi më i mirë i Shkendijës, Besart Ibraimi, thotë se tani ekipi është plotësisht i përqendruar në këtë ndeshje dhe në qëllimin për të arritur fitoren.

"Lodhja është këtu dhe ka ndikim në performancat tona. Megjithatë, duhet të jemi shumë të sinqertë së pari me veten dhe pastaj me të tjerët. Të gjithë e dimë që Shkendija ka bërë diçka shumë të madhe dhe do të jemi në fazën e grupeve në Evropë. Në të njëjtën kohë, e dimë që vetëm përmes kampionatit sigurohet dalja në Evropë dhe për këtë arsye kampionati duhet të respektohet në maksimum. Kemi punuar për rehabilitim dhe besoj se do të jemi në versionin më të mirë. Për ne, çdo ndeshje është e vështirë, sepse kundërshtarët kundër nesh japin 200% dhe për këtë arsye duhet të jemi sa më të kujdesshëm. Ky është vetëm raundi i dytë dhe nuk është se e njohim shumë mirë kundërshtarin, por nga analizat e stafit të trajnerëve mendoj se e dimë se çfarë të presim. Gjëja më e rëndësishme është të dalim në fushë për të luajtur lojën tonë dhe detyrat që do të na jepen, me besimin se do të dalim me rezultatin e dëshiruar", tha Ibraimi.

Sulmuesi i Shkendijës pret që skuadra të mbetet e bashkuar dhe të vazhdojë të tregojë rezultate të mira në Ligën e Parë të Maqedonisë,

"E thashë që kemi shkruar historinë, megjithëse duam të përpiqemi të sigurojmë një vend në Europa League kundër Ludogorets. Megjithatë, do të mendojmë për ato ndeshje kur të vijë koha. Tani jemi të përqendruar maksimalisht te Makedonija G.P. Gjëja më e rëndësishme është të qëndrojmë të bashkuar, në mënyrë që të kemi vazhdimësi të performancave të mira. Kjo është arsyeja pse ndeshja më e rëndësishme në këtë moment është ndeshja me Makedonija G.P.", thotë golashënuesi i klubit të Tetovës.