Arsimi pa flamur të bardhë ndaj Vardarit, Dardhishta premton luftë deri në fund

Në prag të ndeshjes kundër Vardarit në Shkup, mbrojtësi i Arsimit, Mujhedin Dardhishta, dërgoi një mesazh të fortë: skuadra nuk shkon për formalitet, por për të luftuar dhe për të arritur rezultat pozitiv.

“E respektojmë kampionin Vardar, por shkojmë të luajmë futboll dhe të luftojmë deri në fund. Do të japim maksimumin në çdo minutë”, deklaroi Dardhishta.

Ai theksoi se skuadra është në ngritje dhe se paraqitjet e fundit, si barazimi kundër Skopjes , u japin vetëbesim para sfidave të mëdha.

“Krijuam shumë raste dhe treguam cilësi. Kjo na jep besim se mund t’u kundërvihemi edhe skuadrave më të forta”, shtoi ai.

Mesazhi është i qartë, Arsimi nuk vjen në Shkup për të dorëzuar armët para kohe, por për të luftuar deri në vërshëllimën e fundit.

„Ju premtoj se do të luftojmë deri në fund. Do të japim gjithçka nga minuta e parë deri në vërshëllimën e fundit. Shpresoj që në fund të kthehemi nga Shkupi me rezultat pozitiv.

Ndeshja Vardar-Arsimi do të luhet sot me fillim në orën 19:00.